Zyrtare, në garën për kreun e PD-së janë 2 kandidatë

Lulzim Basha dhe Gjergj Hani janë kandidatët zyrtare për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet që priten të mbahen në 29 korrik. Në deklaratën zyrtare pas marrjes së vendimit, Kryesia e PD-së së vulës tha se ky është një moment vendimtar për PD, teksa u bëri thirrje të gjithë demokratëve që të jenë pjesë e këtij procesi.

Në mbledhje morën pjesë 17 anëtarë, 14 në sallë dhe 3 online, teksa ra në sy mungesa e Gazment Bardhit dhe një pjese të konsiderueshme të deputetëve. Nisur nga kjo, Kryesia e ka cilësuar si të papranueshëm qëndrimin bojkotues.

“Nisur nga zhvillimet e fundit brenda forcës sonë politike, Kryesia e Partisë Demokratike e vlerëson të papranueshëm qëndrimin bojkotues të disa prej anëtarëve të saj dhe fton secilin prej tyre të vetëpërmbahet nga ngritja e pretendimeve të pabaza që dëmtojnë interesat e familjes sonë politike. Ne ftojmë çdo anëtar të Kryesisë së Partisë Demokratike të jetë pjesë e jetës institucionale dhe t’i japë zë çdo shqetësimi që mund të ketë brenda mandatit me të cilin është ngarkuar nga anëtarësia. Mosnjohja e institucioneve, pretendimet mediatike të pabaza dhe akuzat e pamotivuara nuk ndihmojnë procesin e riorganizimit dhe shfokusojnë përpjekjet e përbashkëta për t’u dhënë demokratëve dhe shqiptarëve një opozitë të fortë dhe një alternativë qeverisëse të denjë për sfidat e Shqipërisë”, përfundon deklarata.

SHKARKO APP