Zyrtarizimi i koalicionit opozitar, Mediu: Duhet të kemi një vlerësim të përbashkët për kandidatët
Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu ka folur rreth koalicionit opozitar që u formalizua për të garuar në zgjedhjet e 25 prillit. Mediu tregoi disa nga arsyet e ngërçit që ishin krijuar në bisedimet me PD dhe bazat e marrëveshjes së arritur me partinë kryesore opozitare për të maksimalizuar votat në mënyrë që të fitojë zgjedhjet.
”Nuk ishte diçka që kishte të bënte me PR dhe PD. Këto dy parti kanë 30 vjet bashkë. PD në 140 kandidatë për deputetë ka numrin e saj të kandidatëve. Vendi i partive të tjera opozitare duhej të përcaktohej sipas peshës së tyre elektorale. Dhe për këtë ne iu referuam zgjedhjeve të 2009 dhe 2013. Kishte një lloj hezitimi nga ana e PD dhe ky ka qenë debati. Për mua ky debat ishte i vlefshëm në shërbim të fitores, por edhe në të vetë Partisë Demokratike.
Momente të tilla ka interesa nga më të ndryshme. PD duke qenë dhe partia më e madhe ka dhe presionet më të mëdha për shkak të elementeve që duan të kandidojnë. Çdo koalicion duhet të ketë transparencë, që të gjithë aleatët të kuptojnë që partia më e madhe të jetë fer dhe vendosja e një kriteri se ku e ka vendin çdo parti tjetër. PR në qarqe të caktuara ka peshën e saj të votave. Pra nëse bëjmë një analizë, PR duhet të ketë dy mundësi kandidimi në Tiranë. Në qarqe të tjera ka vota për të cilat duhet diskutuar për kandidatët që duhen vendosur. Duhet të ketë kandidatë të koalicionit të cilët integrohen së bashku në strukturat elektorale.
Duhet të kemi një vlerësim të përbashkët për kandidatët. Ramë dakord që pesha e PR në qarqe të vlerësohet. Nëse një emër i PR është më i vlefshëm padyshim që do të kandidojë. Nuk e kam parë tek numrat por tek ajo që do të fitojmë si opozitë. Nuk është vendimmarrje e djeshme ka një seri negociatash prej muajsh. PR ka marrë qarkun e saj në Tiranë. Nga pesha e saj i bie të marrë dy të sigurta në Tiranë”, u shpreh Mediu.