E gjendur mes ekstremesh

Rubrika e gazetës “Koha Jonë”, “Pyetje Psikologut”

PYETJE: Më ndodh që shpesh herë shpejtoj për të mbaruar gjërat duke ndjerë stërlodhje, më pas si rrjedhojë e kësaj mënyre si veproj, më mbetet shumë kohë bosh. Çfarë më sugjeroni pasi kjo gjendje më shqetëson?

Përgjigjja e Psikologes, Jonida Ucaj Ponari, MSc në Psikologji Klinike, Ma në Këshillim Psikologjik.

Përshëndetje,

Të falenderoj që u bëre pjesë e rubrikës tonë, “Pyetje Psikologut” dhe ndave me ne këtë shqetësim.

Për shkak të jetës intensive, shumë njerëzve i ndodh të vrapojnë në jetën e tyre për të arritur synimet me të cilat pretendojnë parakushtin e lumturisë, sa harrojnë vetë thelbin e jetës. Disa të tjerë mbetën për periudha të gjata të përhumbur në gjendje staniacioni. Si të parët dhe të dytët mund të ndjehen të frustruar dhe të nervozuar nga gjendja aktuale ku ndodhen pasi të dy këta individë janë duke e zhvilluar jetën e tyre në drejtim të ekstremeve, ose me ritme shumë të shpejta ose shumë të ngadalta. Të dy nga nxitimi apo të qëndruarit në vend numëro, po e humbasin udhëtimin e mrekullueshëm të quajtur JETË.

Për sa parashtron, më lejo të drejtoj disa pyetje, a po mendon se duke qëndruar vazhdimisht e zënë gjërat do të jenë nën kontrollin tënd? A ke frikë nga humbja e dikujt/diçkaje? A është kjo mënyrë sjellje huazuar kohët e fundit apo të është kthyer në stil jetese? A punon fort që të ndjehesh e vlefshme në sy të vetes apo familjarëve/miqve? Kur të mbetet shumë kohë në dispozicion, cilat janë mendimet e tua? Duke u përgjigjur pyetjeve të mësipërme do të bëhesh e vetëdijshme lidhur me zanafillën e problematikës mbi këtë mënyrë jetese. Të kaluarit nga një stil aktiv në përditshmërinë, në një jetë pasive ju bën të ndjeheni e frustruar, e nervozuar, e shqetësuar. Mbajtja e motorëve ndezur, duke punuar shumë dhe me nxitim, rrit në trupin tuaj prodhimin e kortizolit, hormonit të stresit, i cili shkakton shumë probleme shëndetësore, të cilat nëse vazhdojnë për një kohë të gjatë sjellin deri depresion. Më e rëndësishmja në këtë situatë është të ruash balancën. Si ta realizosh këtë gjë?!

  1. Duke planifikuar në një listë të gjitha detyrat që ke për të kryer, sipas prioritetit dhe kohës së caktuar për ti përmbushur.
  2. Duke e ngadalësuar hapin kur e shikon që turra-vrapi po të drejton jetën duke të bërë të paaftë për t’u çlodhur. Duke marrë kohë për t’u ndërgjegjësuar lidhur me veprimin që po kryen pa ju nënshtruar robotizimit. Të pyesësh veten a duhet ta mbaroj këtë punë vërtet kaq shpejt?
  3. Të lësh diçka jo-prioritare për të bërë në një moment të dytë, në mënyrë që të kesh gjithmonë një angazhim të vazhdueshëm dhe mos të mbetet shumë kohë pa bërë asgjë.

Si përfundim, e dashur të këshilloj që vetë momentin ta kthesh në qëllimin suprem të jetës. Kur në fund të jetëve pjesa më e madhe e njerëzve hedh vështrimin pas, zbulon se ka jetuar gjatë gjithë kohës ad interim. (përkohësisht). Ata çuditen, kur shohin se pikërisht ato gjëra, të cilat kanë lejuar që t’iu rrëshqasin pa i vlerësuar dhe pa iu gëzuar përbënin pikërisht jetën e tyre. Ndaj, të nxis të japësh më të mirën tënde në përputhje me menaxhimin e kohës, duke ridimensionuar vazhdimisht listën e prioriteteve, vetëm kështu do arrish të shijosh mundësinë unike që të është dhënë vetë jetën.

SHKARKO APP