Rubrika “Pyetje Psikologut”: Si të shmangni emocionet kur flisni në publik

Pyetje nga G.E, në rubrikën e gazetës “Koha Jonë”, “Pyetje Psikologut”:

Mirdita,

Ju uroj shumë suksese në punën Tuaj. Quhem G.E dhe jam në përfundim të doktoraturës në një vend të huaj. Mendoj që ja kam dalë mirë deri më tani me konferencat shkencore dhe diplomën time të masterit këtu. Aktualisht, jam në prag të kurorëzimit për titullin Doktor Shkencash dhe vetëm pak ditë më ndajnë nga mbrojtja e tezës. Gjithçka e kam organizuar mirë deri tani, por do doja ndonjë këshillë paraprake që, nëse kam ndonjë bllokim të mundshëm gjatë mbrojtjes së tezës, si ta menaxhoj? Të falënderoj shumë paraprakisht.

Përgjigjja e Psikologes, Jonida Ucaj Ponari, MSc në Psikologji Klinike, Ma në Këshillim Psikologjik:

E dashur G.E,

Sa mirë që na shkruajte dhe na konsiderove një ndihmë të vlefshme lidhur me mbrojte e tezës tënde. Është kënaqësi për mua të këshilloj, që në rast nevoje, të gjendesh e përgatitur për situatën. Kjo mund t’i shërbejë dhe lexuesve të tjerë të interesuar në problematiken lidhur me vështirësinë e fjalimeve në publik. Nëpërmjet e-mailit tënd tek unë përcillet  ideja që jo vetëm qe e ke sjellë materialin në gjendjen përfundimtare, por do që të mënjanosh dhe riskun më të vogël me qëllim që fjalimi jot të jetë i përkryer. Ky mirëorganizim do të sjellë sukses të padiskutuar!

Nisur nga fakti që ja ke dalë të diplomohesh në një vend të huaj dhe tani progresi jot ka ecur edhe më tej drejt finalizimit të doktoraturës, tregon që ke ditur të menaxhosh proceset shumë mirë. Sukseset e tua të mëparshme i shoh si urë lidhëse me sukseset pasardhëse. Lidhur me pyetjen nëse të ndodh ndonjë bllokim i mundshëm gjatë mbrojtjes së tezës, dhe të duket sikur situata mund të të dali jashtë kontrollit, do të rekomandoja që në ato momente të merrje pak sekonda për veten dhe të bëje frymëmarrje të thellë.

Gjithashtu, do të sugjeroja të mbaje me vete një skicë për çdo pjesë të fjalimit tënd. Nëse të kap ndonjë ndjenjë frike/nervozizmi, apo bllokimi, në momentin që e humbet vëmendjen, të sugjeroj shikosh nga skica dhe të perifrazosh dhe njëherë materialin që sapo the duke u përpjekur që të mos shohësh nga paneli vlerësues, por tek materialet e tua si dhe nga Power Pointi. Kjo do të ndihmojë të mbash fokusin tek pikat e renditura dhe minimizon mundësinë e shpërqendrimit.

Së fundmi të inkurajoj, të parapërgatitësh pyetjet hipotetike që mendon se paneli vlerësues mund të bëjë. Duke qenë një hap përpara, të rriten ndjenjat e vetëkontrollit dhe fiton siguri. Të nxis të familjarizohesh me materialin dhe ta asimilosh shumë mirë, pasi kjo ul dukshëm gjasat për gabime gjatë fjalimit. Përcill sa më shumë optimizëm, në risitë që po i ofron shkencës, me anë të kësaj doktorature dhe mendo pozitivisht që prezantimi do shkojë shumë mirë, bazuar kjo dhe në performancat e tua të mëparshme. Uroj që suksesi do jetë emblema e doktoraturës tënde.

pyetpsikologun@gmail.com

SHKARKO APP