11 Korriku, 30-vjetori i masakrës së Srebrenicës, plagës së hapur në ndërgjegjen e Evropës

11 Korriku është shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, një ngjarje që mbetet plagë e hapur në ndërgjegjen e Evropës dhe të njerëzimit mbarë.
Viti 2025 shënon 30-vjetorin e këtij krimi të pashembullt, ku më shumë se 8,000 burra dhe djem boshnjakë myslimanë u masakruan brenda pak ditësh, në një akt të planifikuar dhe të ekzekutuar sistematikisht nga forcat serbe të Bosnjës, nën komandën e gjeneralit Ratko Mladić. Mijëra të tjerë u zhdukën, u zhvendosën me forcë, familje u shkatërruan, komunitete u fshinë nga harta – një katastrofë njerëzore që shënoi pikën më të errët të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe një prej krimeve më mizore në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Srebrenica, një qytet i vogël në lindje të Bosnjës, ishte shpallur zonë e sigurt ndërkombëtare nga Kombet e Bashkuara nëpërmjet Rezolutës 819 të Këshillit të Sigurimit, dhe ndodhej nën mbrojtjen e paqeruajtësve holandezë të UNPROFOR-it. Por në korrik të vitit 1995, ajo mbrojtje u shemb. Forcat serbe e pushtuan enklavën dhe, për disa ditë me radhë, kryen një masakër sistematike të pashembullt, duke ndarë burrat dhe djemtë nga gratë, fëmijët dhe të moshuarit – të cilët u deportuan me forcë – ndërsa viktimat mashkullore u çuan për t’u pushkatuar në mënyrë masive, trupat e tyre u groposën në varre të përbashkëta dhe më pas u rishpërndanë për të fshehur gjurmët.
Ky akt shfarosjeje etnike u krye me urrejtje të verbër, në emër të një nacionalizmi që shkeli mbi çdo normë njerëzore dhe ndërkombëtare. Ishte gjenocid, në kuptimin më të plotë të fjalës – i tillë siç u njoh zyrtarisht nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY), të cilat e shpallën masakrën në Srebrenicë si një akt të pastër të gjenocidit. Deri më sot, ajo mbetet një nga rastet e rralla ku një krim ndaj një populli është emërtuar ligjërisht si gjenocid pas Holokaustit.
Lufta e përgjakshme që pasoi shpërbërjen e ish-Jugosllavisë (1992–1995) la më shumë se 100,000 të vrarë, shumica myslimanë boshnjakë, dhe mbi 2 milionë të zhvendosur. Por Srebrenica u shënua si epitomi i tmerrit, si simboli i një Evrope që, në pragun e shekullit XXI, dështoi të mbrojë jetën dhe dinjitetin njerëzor.
Kjo ditë përkujtimore është më shumë se një homazh për viktimat – ajo është një thirrje për përgjegjësi historike, për vetëdije kolektive dhe për angazhim të pandërprerë në luftën kundër mohimit të krimeve, kundër nxitjes së urrejtjes, dhe për ndërtimin e një bote ku drejtësia të mos mbetet vetëm në gjykatat, por të përthithet nga ndërgjegjja dhe kultura e paqes.
Srebrenica nuk është vetëm një emër i gjenocidit, është një kujtesë e përhershme se paqja është e brishtë, dhe se urrejtja, kur nuk ndalet, mund të marrë trajtën e së keqes absolute. Të kujtosh Srebrenicën është të mos harrosh, të mos lejojmë që historia të shkruhet me të njëjtat dhimbje. Sepse harresa është aleatja më e rrezikshme e krimit.

Përgatiti: Albert Vataj

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?