153 vota, Parlamenti i Greqisë pro anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO
Me 153 vota pro, 140 kundër dhe 1 abstenim, Parlamenti i Greqisë miratoi mbrëmjen e djeshme protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Greqia u bë shteti i parë i aleancës që votoi pro anëtarësimit të fqinjit verior.
Kryeministri Aleksis Cipras tha se ky votim mbyll një proces të gjatë të nisur me Marrëveshjen e Prespës, ndërkohë që kryeopozitari Kirjakos Micotakis u shpreh kundër duke paralajmëruar se asnjëherë nuk do t’i uronte mirëseardhje “kryeministrit maqedonas”. Për votimin në Parlamentin grek reagoi edhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev: “Shkojmë drejt suksesit të garantuar. Është më lehtë me aleatë, themi me krenari se ne jemi në NATO”.
Sa i përket Shqipërisë, Parlamenti pritet të ratifikojë protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO të enjten e javës së ardhshme, më 14 shkurt. Vendimi u konfirmuar nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi gjatë takimit me të ngarkuarin me punë të Maqedonisë së Veriut në Tiranë, Dancho Markovski.
“Maqedonia në NATO është mirëpritur nga të gjitha institucionet shqiptare, si suksesi i një vendi fqinj, me të cilin gjendemi gjeografikisht në të njëjtin rajon, por me të cilin ndajmë vizionet e së ardhmes së përbashkët euro-atlantike”, ka deklaruar Ruçi. Shkupi shpreson që 29 shtetet anëtare të miratojnë protokollin brenda një periudhe 12 mujore, ndërkohë mbështetjen më të shpejtë po e merr nga vendet e rajonit. Shqipëria, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria, Rumania, Kroacia dhe Sllovenia janë shtetet e rajonit pjesë e NATO-s.