Liqeni i Ohrit. Larmia biologjike në rrezik
Sfidat për mjedisin mes vendeve të Ballkanit janë të njëjtat dhe i prekin të gjithë njësoj. Të gjithë jemi “një”, mjedisi na përket të gjithëve dhe prandaj bashkëpunimi është i patjetërsueshëm.
Liqenet e mëdha të Ballkanit Perëndimor, Liqeni i Ohrit, i Prespës dhe i Shkodrës, ofrojnë një pasuri të madhe bimësh dhe kafshësh dhe janë për këtë arsye një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë natyrore të Evropës.
Liqeni i Ohrit është unik në llojin e tij në Evropë, sepse ai bën pjesë ndër liqenet e rralla të botës që ekzistojnë prej disa miliona vjetësh. Për këtë shkak në të janë zhvilluar më tepër se 200 lloje speciesh që nuk i gjen në liqene të tjera, specie edemike. Duke e krahasuar këtë numër speciesh me sipërfaqen e liqenit, rezulton se Liqeni i Ohrit ka numrin më të madh të specieve endemike në botë. Ndër to bëjnë pjesë jo vetëm korani dhe belushka, por edhe shumë lloje kërmijsh, apo qeniesh të tjera, të cilat bashkë me rreth 1.200 lloje të tjera kafshësh dhe bimësh e bëjnë Liqenin e Ohrit një thesar biodiversiteti. Pjesa maqedonase e Liqenit të Ohrit dhe qyteti i Ohrit janë për këtë shkak edhe pjesë e Trashëgimisë Botërore Natyrore dhe Kulturore të Njerëzimit.
Por kjo larmi biologjike është në rrezik dhe zhdukja mjaft kafshëve dhe bimëve tipike për rajonin po vazhdon. Kjo lidhet nga njëra ana me përkeqësimin e cilësisë së ujit për shkak të derdhjes së ujërave të zeza nga qendrat e banuara përreth Liqenit si dhe prej plehërave kimikë që përdoren në bujqësi. Dhe nga ana tjetër për shkak të turbourbanizimit, ndërtimeve të vazhdueshme në afërsi të bregut, intensifikimit të turizmit dhe peshkimit të tepruar.
Për të përcjellë njohuritë për ruajtjen e larmisë biologjike dhe shfrytëzimin me kriter të burimeve tek brezi i ri si dhe për ta njohur atë me rreziqet që e kanosin Liqenin e Ohrit , projekti Konservimi dhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i biodiversitetit në Liqenet e Ohrit, Prespës dhe Shkodrës (CSBL) organizon prej disa vitesh edhe shkolla verore me studentë dhe studjues të rinj.
Shkolla verore e këtij viti përbënte një risi, sepse ajo mblodhi së bashku studentë të biologjisë, të ekologjisë dhe të gazetarisë nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria. Në grupe të përbashkëta ata duhet të përgatisnin materiale të ndryshme mediatike. Fillimisht kjo “përzjerje” ishte pak e habitshme për pjesëmarrësit, por shumë shpejt për të gjithë u bë e qartë se sa i nevojshëm është gërshetimi i përvojave të biologëve apo ambientalistëve me gazetarët për sensibilizimin për ruajtjen e ambientit dhe ekosistemit unik të Liqenit të Ohrit.
“Ne si shkencëtarë nxjerrim nga analizat tona në pah problemet, por janë gazetarët që bëjnë të mundur që ato të mos mbeten vetëm në suazat tona dhe sensibilizojnë publikun e gjërë për këto probleme.” thotë për DW-në Blagoje Trajçevski, biolog nga Maqedonia. “Për mua personalisht si biolog ishte interesante të mësoja mënyra të ndryshme se si mund ta bëj shkencën më të afërt për publikun duke përdurur një gjuhë dhe mënyrë shprehjeje më të thjeshtë dhe të përgjithshme”, shton ai.
Edhe për Mariola Ismailaj, biologe nga Shqipëria, shkolla verore që lidhte median me mjedisin “ishte një qasje ideale për të bërë sa më të dukshme probleme mjedisore, që janë sa rajonale aq dhe globale.”
“Ne si gazetarë të rinj, patëm mundësi jo vetëm të njihemi nga afër me biodiversitetin dhe problemet me të cilat përballet Liqeni i Ohrit, por edhe të mësojnë se t’i trajtojnë në mënyrë interensante dhe tërheqëse për publikun tema që në vështrim të parë mund të duken tepër të komplikuara dhe aspak interesante”, thotë Ardit Toca nga Shqipëria.
Si për shembull problemi i specieve të ardhura nga zona e vende të tjera në mënyrë invazive në Liqenin e Ohrit, një pjesë e të cilave rrezikojnë speciet e vjetra të liqenit. Një nga speciet e ardhura është alga “elodea canadensis”, të cilën e zgjodhën për ta trajtuar nga këndvështrime të ndryshme Entela Nezha, biologe mjedisi nga Shqipëria, dhe Nertila Arifi studente e gazetarisë nga Maqedonia. Nertila përgatiti një film të shkurtër për këto specie duke u mbështetur në ndihmën e studentëve të biologjisë dhe të ekologjisë, kurse Entela një prezantim.
“Në prezantimin tim i “përktheva” termat shkencore në një gjuhë të kuptueshme për publikun e gjërë dhe madje përdora edhe elemente humoristike, që mbeten edhe më lehtë në mendjen e njerëzve”, shpjegon Entela, duke sjellë si shembull “nënshtetësinë e dikurshme kanadeze” të kësaj alge, e cila tani “ka marrë pasaportë maqedonase” dhe që duke u ndjerë si në shtëpinë e vet po përhapet me shpejtësi në Liqenin e Ohrit.
Vetëdija për mbrojtjen e ambientit duhet të nisë që në moshat e vogla, thotë Vojislav Iliq nga Mali i Zi, i cili përgatiti një material informativ për speciet invazive të përshtatur në formën e një përralle me figura për fëmijët e moshës parashkollore dhe të shkollës fillore. “Nëse arrijmë të ngremë nivelin e ndërgjegjes të fëmijëve, mund të jemi të sigurt se në të ardhmen do të ndeshemi me më pak probleme që lidhen me mjedisin”, thotë ai.
Ura miqësie që i kalojnë kufijtë që na ndajnë
“Shkolla verore për biodiversitetin më ofroi mundësi unike për të mësuar dhe shkëmbyer ide, përvoja me ekspertë dhe biologë, gazetarë të rinj të vendeve dhe kultura të ndryshme të Ballkanit. Më mësoi metoda të reja se si të integrohem më shumë në profesionin tim si ekologe. Shkolla verore ishte një përvojë ideale për të nxitur të menduarit kreativ dhe për të reflektuar se si mund ta përkthej terminologjinë mjedisore në fjalorin e gazetarisë për ta bërë më të lehtë për publikun e gjërë, për të ngritur vetëdijen për ruajtjen e mjedisit jetësor dhe ruajtjen e thesarit më të shtrenjtë natyror, Liqenin e Ohrit. Kjo shkollë sfidoi mendimin tim aktual për gazetarinë. Më ofroi njohuri të reja, më siguroi një atmosferë të re dhe frymëzuese. Përforcoi mendimin tim kritik duke përmisuar cilësinë time të punës”, thotë Altina Ismaili, biologe nga Maqedonia.
“Pjesëmarrja e studiuesve dhe të rinjve nga vende të ndryshme të Ballkanit, na bëri të kuptojme se sfidat për mjedisin dhe qëllimet janë të njëjtat dhe na prekin të gjithëve njësoj. Duke bashkëpunuar në këtë shkollë verore ne krijuam jo vetëm kontakte, por dhe ura miqësie që i kalojnë kufijtë që na ndajnë, për të na rikujtuar se të gjithë jemi “një” dhe mjedisi na përket të gjithëve”, thotë Mariola nga Shqipëria.
“Jam i privilegjuar, që isha pjesëmarrës në këtë projekt, sepse m’u dha mundësia për të vënë kontakte dhe njohur studentë nga vende të ndryshme dhe për të shkëmbyer përvoja me ta”, shton Vojislavi nga Mali i Zi.
“Liqeni i Ohrit u takon dy vendeve dhe nëse duam t’i zgjidhim problemet, duhet patjetër të bashkëpunojmë”, thekson Blogoja nga Maqedonia. “Nuk ndodh shpesh që të mblidhen bashkë biologë, ekologjistë dhe gazetarë që vijnë nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, prandaj vendosja e kontakteve mes pjesëmarrësve është sipas mendimit tim një përfitim i papaçmueshëm i kësaj shkolle verore”, shton ai.