200 mijë njerëz në rrugë kundër racizmit të qeverisë në Milano
Protesta e mbajtur nën sloganin “Njerëzit të parët” u zhvillua në një nga rajonet që konsiderohet edhe bastion i partisë së krahut të djathtë ekstrem, Lidhja, dhe i kryetarit të saj anti-emigracion, Mateo Salvini.
Sipas organizatorëve, në të morën pjesë rreth 200 mijë qytetarë të thjeshtë, por edhe njerëz të botës së spektaklit dhe kryebashkiakë, përfshirë edhe ai Milanos. Me mesazhe paqësore dhe në një atmosferë festive përballë katedrales së Duomos në qytet, organizatorët u shprehën se diversiteti racor është një pasuri për Italinë, dhe se qytetarët nuk duhen ndarë në kategori të parë apo të dytë.
Revolta e tyre nisi muaj më parë kur qeveria italiane kaloi një ligj që e bën më të lehtë deportimin e emigrantëve dhe heqjen e nënshtetësisë që ata mund të kenë marrë më parë nëse kapen me shkelje.
Zëvendëskryeministri Salvini reagoi në mbrëmje duke thënë se politikat për emigracionin e bëjnë Italinë më të sigurt, dhe se për këto qëndrime ai vijon të votohet masivisht në procese të ndryshme zgjedhore që prej ardhjes në pushtet në vitin 2018.