30 ditë paraburgim, Janeva merr pjesë në varrimin e së ëmës
30 ditë paraburgim. Kjo është masa që iu caktua Prokurores Speciale të Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, mbrëmjen e së mërkurës.
Prokurorja e dyshuar për korrupsion e kaloi natën në burgun e Shutkës, por të enjten u lejua të marrë pjesë në varrimin e së ëmës, e cila u nda nga jeta në të njëjtën ditë me arrestimin e së bijës. Në ceremoninë mortore të zhvilluar në Gjevgjeli, prokurorja u shoqërua nga forca policore.
Komisioni Evropian po përmbahet nga komentet lidhur me rastin “Zhvatja” dhe arrestimin e Janevës. Megjithatë, përmes një deklarate të shkurtër, komisioni theksoi se pret zhvillimin e një hetimi thelbësor lidhur me ngjarjen.