33 eurodeputetë propozojnë Tsipras dhe Zaev si kandidatë për Nobelin e Paqes

Plot 33 eurodeputetë nga të gjitha formacionet partiake në Parlamentin Europian, përveç atyre që përfaqësojnë të djathtën ekstreme, kanë nënshkruar një propozim ndaj Komisionit të Çmimeve “Nobel”, me anë të të cilit kërkojnë që kandidatët për vitin 2019 të jenë kryeministrat Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev.

Bëhet fjalë për 33 eurodeputetë nga 16 vende të ndryshme të BE-së dhe 6 grupime politike të Parlamentit Europian, të së Majtës, Socialistëve, të të Gjelbërve, Partisë Popullore Europiane, Konservatorëve dhe Liberalëve.

Kërkesa e nënshkruar prej tyre, në thelb mbështet nismën e tunizianes Uided Bushamaui, mbajtëses së çmimit përkatës, e cila duke marrë si shkas nënshkrimin e marrëveshjes së Prespës, si një model dialogu dhe zgjidhjeje paqësore të ndasive, ka propozuar para disa muajsh dy udhëheqësit e shteteve fqinje ballkanike si kandidatë të mundshëm për Nobelin e Paqes.

Pak kohë më parë, Tsipras e Zaev u nderuan me medalje edhe nga Konferenca e Mynihut

Përveç të tjerash, në letrën e nënshkruar nga eurodeputetët theksohet se, duke marrë parasysh ndasitë komplekse nacionaliste, apo edhe dallimet e pazgjidhura në këtë rajon të trazuar nga luftërat, dy kryeministrat bënë hapa përpara, pavarësisht presioneve të brendshme në shkallë maksimale, e te rezultati pozitiv qëndron merita e tyre.

Eurodeputetët, midis tyre emra të njohur në Shqipëri, si Eduard Kukan, Tanja Fajon dhe Knut Fleckenstein, deklarojnë se “ky çmim do të inkurajojë vendet e tjera me dallime shumë të ndërlikuara etnike, për të ndjekur shembullin Tsipras -Zaev”.

Disa ditë më parë, edhe Papa Françesku është shprehur se kryeministri Tsipras e meriton Nobelin e Paqes, jo se nënshkroi marrëveshjen e Prespës, por për deklaratën e tij se “të drejtat e njeriut janë më të rëndësishme sesa marrëveshjet”, e kjo thënie sipas Atit të Shenjtë është vërtet për të marrë çmim.

SHKARKO APP