A ishte paralajmëruar tragjedia në Athinë?
Oficerët grekë të Shërbimit të Zjarrfikësve dhe zjarrfikësit e dalë në pension tregojnë një mekanizëm shtetëror të papërgatitur dhe mungesën e një plani emergjence si shkak kryesor për tragjedinë në Atikën Lindore, duke hedhur poshtë sugjerimet nga zyrtarët qeveritarë për një zjarrvënie të qëllimshme, që synon destabilizimin e vendit.
Ata e përshkruajnë zjarrin që nisi të hënën në zonën e Daou, në shpatet lindore të malit Pendeli, si një “mega-zjarr”, për shkak të faktit se nisi në një pyll me pisha dhe u ndihmua edhe nga era e fortë. Kombinimi i këtyre dy faktorëve do të bënte që flakët të dilnin nga kontrolli shumë shpejt, duke arritur bregun në vetëm pak orë.
Për më tepër, zjarrfikësit dhe avionët që përdoren për shuarjen e zjarrit ishin të përqendruar në kontrollimin e një tjetër zjarri në Kineta, në perëndim të Atikës Perëndimore, që do të thotë se kishte vonesa në reagimin ndaj zjarrit në Atikën Lindore.
Sidoqoftë, zjarrfikësit me eksperiencë thonë se mungesa e një plani emergjence qëndron pas vdekjeve të të paktën 80 personave, të cilat ishin bllokuar nga flakët ndërkohë që po përpiqeshin të shpëtonin. Ata bëjnë përgjegjës Shërbimin e Zjarrfikësve, Autoritetin Rajonal të Atikës dhe Sekretariatin e Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile në veçanti, i cili është përgjegjës për koordinimin e të gjitha agjencive.
Ata gjithashtu tregojnë mungesën e dukshme të gatishmërisë së shtetit, pavarësisht paralajmërimeve të lëshuara gjatë fundjavës se rreziku i zjarrit të hënën do të ishte i nivelit 4, nga më të lartët në të gjithë rajonin e Atikës.
“Është e qartë që kishte vonesa në reagimin ndaj zjarrit në Daou. Forcat zjarrfikëse ishin të transferuara në Kineta dhe autoritetet nuk prisnin shpërthimin e një zjarri të dytë në Atika”, tha një zjarrfikës me eksperiencë për të përditshmen “Kathimerini”.
Duke reaguar ndaj zërave dhe spekulimeve se zjarret e së martës ishin rezultat i një komploti të qëllimshëm, të njëjtat burime theksojnë se nuk është e pazakontë që të shpërthejnë rreth 10 zjarre gjatë sezonit të verës në zonën e Atikës. Ata gjithashtu flasin për dëshmitarë që kanë vënë re se shpërthimi i zjarrit në Kineta nisi nga shkëndijat që vinin nga shtyllat e tensionit.
Ngjarjet në Atikën Lindore kanë risjellë në kujtesë zjarret vdekjeprurëse të vitit 2007 në Ilia dhe Peloponez. Zjarrfikësit thonë se ka ngjashmëri mes dy incidenteve. Në të dyja rastet, erërat e forta dhe terreni i pyllëzuar e kanë bërë të vështirë parandalimin e zjarreve. Ata shtojnë se shirat e dendur në fillim të muajt dhe në Qershor në Atika, bënë që kushtet në tokë të mos ishin aq të pafavorshme sa ishin në Peloponez në vitin 2007.