Acarohen më tej marrëdhëniet Athinë-Moskë

Pas dëbimit të dy diplomatëve të ambasadës greke në Moskë, Athina ka reaguar me një deklaratë të gjatë e me tone mjaft të ashpra.

Dëbimi i diplomatëve u vendos nga ministria e jashtme ruse, në bazë të parimit të reciprocitetit, pasi më herët ishin dëbuar nga Greqia dy diplomatë të ambasadës së Rusisë në Athinë.

Ministria e jashtme greke e cilëson si “arbitrar dhe hakmarrës, që nuk bazohet në as një provë”, vendimin e Moskës.

“Vendimi i ministrisë së jashtme ruse nuk bazohet në prova, sikundër vendimi i palës greke që bazohej në prova të faktuara për veprimtarinë e jashtëligjshme të diplomatëve dhe qytetarëve rusë në territorin grek,”-thuhet në deklaratën e ministrisë së jashtme greke, që u publikua të premten në mesditë.

“Greqia synon në mënyrë konstante marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim  me fqinjët e saj, me qëllim që të zgjidhë probleme kronike, si ai i emrit (të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë)… Rusia në këto momente duket se nuk mund të kuptojë qëndrimet parimore të politikës së jashtme greke… Tregon se nuk e kupton që Greqia ka interesat e veta si kritere në politikën ndërkombëtare,”-vazhdon deklarata e ministrisë së jashtme greke.

“Sa u përket masave arbitrare që mori udhëheqja e ministrisë së jashtme ruse, Greqia do të përgjigjet me durim dhe kthjelltësi,”-përfundon deklarata e Athinës.

Tri ditë më parë, ministria e jashtme ruse vendosi dëbimin e dy diplomatëve grekë, (atasheu tregtar dhe ai i shtypit), si dhe t’i ndalojë hyrjen në Rusi shefit të kabinetit të ministrit të jashtëm grek Nikos Kotzias.

Vendimi u muar si kundërpërgjigje ndaj dëbimit muajin e kaluar të dy diplomatëve dhe dy qytetarëve rusë. Ata u akuzuan nga autoritetet greke për bashkëpunim me biznesmenë, me qëllim që të korruptojnë zyrtarë lokalë, klerikë ortodoksë, pjesëtarë shoqatash kulturore dhe organizatash të ekstremit të djathtë në Greqinë e Veriut. Objektivi i gjithë këtij operacioni ishte që të organizoheshin protesta ndaj marrëveshjes së Prespës, për ndryshimin e emrit të Ish republikës Jugosllave të Maqedonisë.

SHKARKO APP