Aksident me teleferik në Itali: 12 të plagosur, dyshohet defekt teknik
Një aksident në teleferikun që lidh Macugnaga-n me Qafën Moro, në veri të Italisë, ka lënë 12 persona të plagosur. Ngjarja ndodhi pak para orës 11:00 të paradites, në lartësinë 2.850 metra mbi nivelin e detit, në provincën Verbano Cusio Ossola.
Autoritetet raportuan se i plagosuri më rëndë pësoi një prerje në krah dhe u dërgua në spitalin San Biagio në Domodossola. Të tjerët, mes tyre dy fëmijë dhe një operator i teleferikut, morën dëmtime të lehta.
Shkak i aksidentit dyshohet një defekt teknik në sistemin automatik të frenimit. Dy kabinat nuk arritën të ngadalësonin gjatë afrimit në stacione dhe u përplasën me barrierat mbrojtëse, pavarësisht aktivizimit të frenimit të emergjencës.
Ekipet e shpëtimit ndërhynë me helikopterë për të evakuuar të plagosurit dhe 94 persona të tjerë në zonë. Operacioni përfundoi rreth orës 14:30.
Pistat e skive janë mbyllur, ndërsa teleferiku është ndalur përkohësisht dhe është vënë në dispozicion të autoriteteve. Hetimet po kryhen nga prokuroria e Verbanias për të zbardhur shkaqet e plota të incidentit.
KOHA JONË SONDAZH

