Albin Kurti për Bloomberg: Kosova dhe Serbia të normalizojnë raportet para zgjedhjeve në SHBA
”Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë raportet, para zgjedhjeve në SHBA dhe BE, pasi aleatët nuk do të kenë më kohë dhe mundësi të merren me çështjen”,-thotë kryeministri Albin Kurti në një intervistë për Bloomberg në Slloveni, ku po merr pjesë në forumin e Bledit.
Kurti tha se ekziston “një ndjenjë urgjence për ta implementuar marrëveshjen dhe normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, të përqendruara në njohjen reciproke, më së shumti deri në pranverën e vitit të ardhshëm”.
Zgjedhjet në Bashkimin Evropian do të mbahen në qershor, ndërsa ato në SHBA në nëntor. Në intervistë, Kurti thekson gjithashtu se është i gatshëm për organizimin e zgjedhjeve të reja komunale në veri, sipas marrëveshjes së arritur me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
Kryeministri Albin Kurti po qëndron në Slloveni për Forumin e Bledit ku një ditë më herët shkëmbeu akuza me kryeministren Bërnabic. Ai tha se Beogradi nuk po zbaton marrëveshjen drejt normalizimit, ndërsa Bërnabic kontestoi shtetësinë e Kosovës dhe e vuri theksin tek refuzimi për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.