Aleanca për Shqiptarët do të braktisë qeverinë e Zaev

Pas votimit të ministrit të Shëndetësisë, Aleanca për Shqiptarët ka vendosur të braktisë Qeverinë. Megjithatë largimi i ASH-zë nga shumica do të ndodhë pas votimit të propozim ligjit për përdorimin e gjuhëve i cili pritet të votohet së shpejti.

Kreu i kësaj partie Ziadin Sela tha se subjekti i tij do të vazhdojë të mbështes reformat, por në të njëjtën kohë i bëri thirrje Kryeministrit Zoran Zaev që t’i shkarkojë funksionarët e Aleancës për Shqiptarët nga Qeveria.

“Do të votojmë këtë ligj dhe prej këtij momenti Aleanca për Shqiptarët nuk do të jetë pjesë e një Qeverie e cila mban emrin Qeveri reformatore por fatkeqësisht është shndërruar në lavatriçe e politikanëve të inkriminuar dhe korruptuar dhe po lan nga mëkatet këto politikan sidomos që i përkasin bllokut politik shqiptar në Maqedoni – tha Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Sela akuzon Zaevin për tradhti pasi sipas tij shkeli marrëveshjen për formimin e Qeverisë reformatore, e cila sipas tij tashmë është shndërruar në Qeveri lavatriçe për pastrimin e aferave korruptive të partnerëve të koalicionit.

“Jo, nuk e kemi ndërmend ne të kërkojmë zgjedhje të parakohshme. 2018 vit shumë i rëndësishëm për Maqedoninë që të debllokohen proceset euro-integruese dhe Maqedonia sa më shpejtë të bëhet anëtare e NATO-së. Ne do të flakim interesin tonë partiak që është zgjedhje sa më shpejtë me qëllim që të përballemi me BDI-në – theksoi Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

I pyetur nëse subjekti i tij është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme, Sela theksoi se për Maqedoninë viti 2018 është vit i rëndësishëm dhe se Aleanca nuk kërkon një gjë të tillë, por që sipas tij mezi pret ballafaqimin me BDI-në. Nga Qeveria akoma nuk ka qëndrim zyrtar në lidhje me vendimin e Aleancës për Shqiptarët. Kryeministri Zoran Zaev, para votimit të ministrave në Kuvend theksoi se për ASH-në vlen akoma oferta, zëvendëskryeministër për zbatimin e reformave.

Kuvendi sot votoi ministrat e rinj. Për ministër të Shëndetësisë u zgjodh Venko Filipçe kuadër i LSDM. Për Zëvendësministër i Arsimit u votua Arbër Ademi, kuadër i BDI-së dhe ish zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane në Qeveri Teknike, ndërsa për zëvendëskryeministër për emancipimin e romëve dhe të drejtave të tyre u emërua Aksel Ahmedovski, si dhe zëvendësministër i Bujqësisë u emërua Bllage Cvetkoviç.

Plotësimi i posteve vaktane në Qeveri vjen dy muaj pas dorëheqjes së ministrave paraprak për shkak të kandidimit tyre në zgjedhje lokale. Në momentin e propozimit Zijadin Sela dhe Surija Rashidi lëshaun sallën e Kuvendit, ndërsa për të siguruar shumicën pro propozimeve të Qeverisë përvec BDI-së dhe LSDM-së votuan edhe Amdi Bajram dhe Vesel Memedi. /Alsat.M/

SHKARKO APP