Ali Ahmeti: BDI i ka fituar zgjedhjet, por shqiptarët kanë humbur shumë mandate
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, thotë se partia e tij ka fituar zgjedhjet por siç thotë ai, nuk është i lumtur për këtë fitore, pasi shqiptarët kanë humbur shumë mandate.
Kjo sipas Ahmetit ka ndodhur pasi është shpërndarë vota ndër shqiptarë, për shkak të daljes në sipërfaqe të shumë partive të vogla shqiptare.
“BDI gjithmonë ka apeluar tek elektorati i vet, tek shqiptarët dhe ka kërkuar nga ta që të mos copëtohen nëpër parti të vogla sepse do të jenë humbës. Gjithmonë i kemi thirrur që partitë e vogla të bëhen bashkë, të fitojnë BDI por t ë mos humbin shqiptarët. Unë them se shqiptarët kanë humbur mandate. BDI ka fituar zgjedhjet por mua më ka interesuar që në radhë të parë të fitojnë shqiptarët dhe nuk më gëzon fitorja e BDI. BDI do të mbetet i vendosur në drejtim të mbrojtjes së doktrinës që kemi paraqitur para shqiptarët të Maqedonisë”, tha Ahmeti, shkruan Express.
Kreu i BDI’së tha se sipas shtabit zgjedhor, ata kanë fituar 11 mandate, ndërkaq partitë e tjera shqiptare, të gjitha së bashku kanë fituar 10 të tjera.
Sipas Ahmetit, shqiptarët në këto zgjedhje kanë humbur 9 mandate.
Ndërkaq, i pyetur për kundërshtarin e tij, kreun e LSDM’së, Zoran Zaev, se çfarë mendon për planin e tij për shqiptarët, Ahmeti tha se Zaev “s’ka asnjë plan për shqiptarët”./Express/