Ambasadori amerikan u paraqet hartën e Serbisë pa Kosovës, protestojnë nxënësit serbë
Tensionet e vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë duket se kanë radikalizuar edhe moshat më të reja, të cilat për temën e debatuar shprehin qëndrime të qarta politike. Një rast i tillë është regjistruar ditën e enjte kur Ambasadori amerikan në vend paraqiti disa grafikë ku Serbia dhe Kosova tregoheshin të ndara territoralisht.
Takimi i Ambasadorit amerikan në Serbi me nxënës dhe mësues serbë në vend është pritur me polemika nga një pjesë e publikut dhe e politikës vendase.
Shkak për këtë është bërë prezantimi që diplomati amerikan, Kajl Skot, mbajti në shkollën fillore “Zharko Zrenjanin” një ditë më parë.
Në një moment të ligjëratës, pamjet që ambasadori Skot po paraqiste nëpërmjet projektorit treguan tri harta të Serbisë, të cilat në asnjë rast nuk e përfshinin Kosovën brenda kufijve territorialë të vendit.
Mediet lokale raportojnë se nxënësit kur e panë një gjë të tillë nisën të thërrasin me zë të lartë “Kosova është Serbi”, ndërsa tensioni momental u kalua vetëm pas largimit të vëmendjes me foton e radhës.
Disa nga prindërit gjithashtu u revoltuan kur mësuan mbi incidentin nga fëmijët, ndërsa një pjesë e kuadrit mësimor mësohet se e shprehu pakënaqësinë duke protestuar përpara Ambasadorit.
Ndërkaq ngjarja u komentua të premten edhe nga deputeti i pavarur i serb, Miladin Sevarliç, i cili shtoi se ka ardhur koha që Serbia të mos lejojë më të poshtërohet nga ambasadorët e huaj.
Në një dalje para parlamentit, ai shtroi pyetjen nëse incidenti i fundit mund të konsiderohet abuzim i fëmijëve për qëllime politike.
Sevarliç apeloi kreun e shtetit, Aleksandër Vuçiç, dhe qeverinë serbe që të mbajnë qëndrim, pasi nëse një ndodhi e tillë do të përsëritej në shkollat fillore në Uashington, ku SHBA-ja të paraqitej pa Meksikën e Re, reagimi do të ishte edhe më i ashpër.