Ambasadori gjerman, Kosovës: Të hiqet taksa ndaj mallrave serbe
Ambasadori gjerman në Serbi, Thomas Schieb, tha se vendi i tij mbështet fuqishëm dialogun midis Beogradit dhe Kosovës me ndërmjetësimin e BE dhe i bëri thirrje Prishtinës të heqë taksat ndaj mallrave serbe.
Ai tha për revistën “Diplomacy and Commerce” se pret që formati i dialogut të mbetet i pandryshuar dhe se rezultati i tij duhet të jetë një marrëveshje që do të jetë gjithëpërfshirëse, e pranueshme për të dy palët dhe e zbatueshme.
“Marrëveshja duhet të bazohet në parimet e multietnicitetit, për të siguruar të drejtat e pakicave dhe standardet demokratike dhe për të kontribuar në stabilitetin rajonal,” tha ai.
Ambasadori përshëndeti progresin e bërë deri tani në dialog, si liria e lëvizjes, njohja e ndërsjellë e diplomave, si dhe progresi në fushën e telekomunikacionit dhe drejtësisë, i cili, tha ai, ka përmirësuar standardin e jetesës së serbëve dhe shqiptarëve. Ai përkujtoi se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është njëri nga kushtet për përafrimin e Serbisë me BE-në.