Analisti bullgar kritikon qasjen e BE-së, Pançev: Po gabon ndaj Kosovës, shumë butë me Serbinë
Njohësi bullgar i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Anton Pançev, kritikoi Bashkimin Europian për qasjen e ashpër që përdor ndaj Kosovës. Duke folur për “KosovaPress”, ai kërkoi nga BE që të mos tregohet shumë e butë e të bëjë lëshime ndaj Serbisë.
“Duhet të kemi parasysh se Bashkimi Europian nuk vepron siç duhet, pasi ata bëjnë përkrahje që të ndajnë fajin mes palëve. Kjo nuk është e mundshme faktikisht, sepse ne kemi shtetin e Kosovës, që ushtron dhe zbaton sovranitetin e saj mbi territoret që janë pjesë e pandashme e territorit të Republikës.
Në anën tjetër i kemi veprimet diversive të Serbisë që ndërhynë në mënyrë brutale në punën e brendshme të Republikës së Kosovës. Në Bruksel, institucionet e Bashkimit Europian kërkojnë një barazi, e cila nuk është e mundshme. Unë shpesh e kritikoj Bashkimin Europian për qasjen e tij ndaj Ballkanit dhe proceseve rajonale. Në institucionet e Brukselit duhet të kuptojnë se kush e ka fajin dhe mos të bëjnë përpjekje të kota që të përafrojnë Serbinë përmes lëshimeve ndaj Kosovës dhe shteteve të tjera të rajonit”, tha Anton Pançev, analist nga Bullgaria.