Arrestohet bashkëpunëtori shqiptar i “Eskobarit” të Kretës

Policia greke ka arrestuar një të ri shqiptar me moshë 23 vjeç, i cili është identifikuar  si bashkëpunëtor i një trafikanti vendas të drogës.

Arrestimi është kryer në afërsi të Iraklios, në ishullin e Kretës. 23 vjeçari ishte duke lëvizur me motoçikletën e vet dhe nuk ndaloi kur patrulla i bëri shenjë. Megjithatë, nuk mundi të shkonte larg dhe u kap.

I ri shqiptar ndodhej në kërkim nga shtatori 2016.

Atëherë policia kishte arrestuar një 42 vjeçar nga Hersonisos (pranë Iraklios), që konsiderohej si trafikanti më i madh i drogës në Greqi, me përjashtim të Athinës dhe Selanikut. Prandaj dhe mediat vendase e cilësuar menjëherë si “Eskobarin” e Kretës, edhe për shkak të jetës tepër luksoze që ai bënte.

Në fermën e tij, policia kishte zbuluar 3,5 kg kokainë, të fshehur shumë thellë nën tokë. Gjithashtu, kishte asgjesuar 5 mijë fidanë kanabisi të mbjella në një serë që do të jepnin një prodhim prej 2,5 tonë. Sipas policisë, vlera e kokainës dhe e kanabisit shkonte në 7 milionë e 350 euro.

42 vjeçari kishte mohuar çdo lidhje me drogën.

Mirëpo hetimet kishin rezultuar me prova të pakundërshtueshme dhe “Eskobari” i Kretës u dënua me burgim të përjetshëm. Me 18 vjet burg u dënua dhe e shoqja. Ndërsa fakti më tronditës ishte se ai përdorte rregullisht si “spaçiator” (shpërndarës), djalin e tij 15 vjeçar.

SHKARKO APP