Arrestohet ish-shefi i shërbimit sekret në Maqedoni
Policia e Maqedonisë ka vënë në pranga sot ish-shefin e shërbimit sekret DSK, Sasho Mijallkov. Sipas 1TV, Mijallkov është prangosur në hotelin “Merriot” në Shkup, ku më pas është dërguar në ambientet e paraburgimit të Shutkës.
Arrestimi i Sasho Mijallkov ka ardhur me kërkesë të Prokurorisë Speciale, pas informacioneve për rrezik të arratisjes së tij. Ndaj ish-shefin e shërbimit sekret rëndojnë akuza për keqpërdorim të pushtetit, korrupsion dhe shkelje të tjera ligjore gjatë kohës si kreu i DSK-së në periudhën e qeverisjes së Nikola Gruevskit.
Arrestimi i Mijallkov vjen pas arrestimit të ish-ministrit të transportit Mile Janakievski dhe ish-sekretarit të VMRO-DPMNE, Kiril Bozhinovski.