Asgjësohet banda shqiptaro-greke, 800.000 euro nga grabitjet e argjendarive

Policia greke ka njoftuar asgjësimin e një bande të rrezikshme që ishte shndërruar në tmerrin e argjendarive të Athinës.

Me një operacion rrufe të zhvilluar njëkohësisht në disa zona, policia ka vënë në pranga dy shtetas shqiptarë dhe tre grekë.

Njëri prej shqiptarëve, 33 vjeç, ishte kreu i grupit. Ai ishte dënuar me gjithsej 71 vite burg, por kishte mundur të arratisej më 24 gusht nga burgu i Tyrinthas.

Sipas policisë, grupi kriminal ishte përgjegjës për disa grabitje argjendarish, por edhe banesash në Athinë.

Vetëm në dy prej tyre përllogaritet se ata morën mall dhe para me vlerë 800.000 euro.

Grupi i strukturuar vepronte me profesionalizëm të lartë dhe përdorte kode gjatë komunikimeve telefonike.

Përgjithësisht ata i realizonin grabitjet në momentin që dyqani ishte i mbyllur. Njëri prej tyre, që mbante në fytyrë një maskë prej silikoni, paraqitej si klient dhe i bindte të hapnin portën.

Pastaj mësynin pjesëtarët e tjerë të grupit, që nën kërcënimin e armëve i detyronin të hapnin kasafortën apo të çlironin kodet e vitrinave.

Policia ka sekuestruar 1 armë kallashnikov, 4 pistoleta, armë gjahu, një maskë silikoni, bizhuteri, telefona celularë, si dhe një shumë prej 6.165 euro.

SHKARKO APP