Athina do t’i propozojë Shkupit një marrëveshje paketë
Athina zyrtare po përgatit një marrëveshje paketë që do t’i propozohet Shkupit brenda muajit të ardhshëm. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në prag të takimit me negociatorin e OKB-së për çështjen e emrit, Matthew Nimetz.
Ministri tha se projekt marrëveshja përmban propozime për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe eliminimin e “pretendimeve irredentiste”, por edhe për çështje që lidhen me pozitën ndërkombëtare dhe rajonale të vendit fqinj, si dhe një “axhendë pozitive për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe”.
Duke iu referuar emrave të propozuar nga negociatori Nimetz, Kotzias tha se janë katër emërtime në sllavisht si dhe emri “Makedonia-Skopje”.
“Ajo që kërkon Greqia është një emër i përbërë, me terminologji sllave, që nuk do të përkthehet”, sqaroi ministri i jashtëm grek qëndrimin e qeverisë së tij.
Këtë qëndrim, Kotzias pritet t’ia shprehë sot edhe negociatorit Nimetz, me të cilin do të ketë një drekë pune. Më herët, zoti Nimetz do të ketë një takim në selinë e partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re.
Raundi i ri i negociatave për emrin e Maqedonisë, fillon në një kohë që tensioni politik në Greqi për shkak të kësaj çështjeje vazhdon të mbetet i lartë. Dje partneri i vetëm qeveritar i zotit Tsipras, ministri i mbrojtjes Panos Kammenos dhe partia e tij, konfirmuan vendimin për të mos pranuar asnjë formulë zgjidhjeje që do të ketë për bazë termin “Maqedoni”. Ky vendim rindezi debatin politik e mediatik, se nuk mundet që qeveria Tsipras të negociojë një çështje kaq të rëndësishme pa pasur në gjirin e vet një qëndrim unanim.