Athina pret “hapin vendimtar” të Shkupit për çështjen e emrit
Athina zyrtare ka deklaruar se pret nga Shkupi që të bëjë “hapin vendimtar” për finalizimin e marrëveshjes për çështjen e emrit.
“Topi gjendet në fushën e tyre”, ka deklaruar zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitris Tzanakopulos, gjatë një interviste televizive, transmeton Ora News.
Tzanakopulos tha se të dielën e kaluar, dy ministrat e jashtëm, Nikos Kotzias dhe Nikolla Dimitrov, patën një takim të suksesshëm dhe konkluduan kuadrin e përgjithshëm të marrëveshjes.
“Në këtë moment, çështja ndodhet në duart e dy kryeministrave dhe ajo që presim nga ana e udhëheqjes politike të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë është që të bëjë hapin vendimtar, me qëllim që të avancojmë përfundimisht në një zgjidhje reciprokisht të pranueshme, të cilën duket se që të dy vendet e synojnë”, tha ai.
“Zoti Zaev duhet të finalizojë veprimet e nevojshme politike edhe brenda vendit dhe kjo është ajo që ne presim”, theksoi zëdhënësi i qeverisë greke.
Sipas tij, marrëveshja “do të garantojë me mënyrën më të mirë të mundshme interesat e vendit, si dhe kalimin në një emër të ri të vendit fqinj dhe kjo do të bëhet me kushte teknike dhe detyruese shumë specifike”.