“Autochthonous” në stadium? Serbia arreston një shqiptar pasi u kap me flamuj të UÇK-së
Autoritetet në Serbi kanë arrestuar një shtetas të Shqipërisë nën dyshimin se ka kryer veprën penale të “nxitjes së urrejtjes mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq tha se anëtarët e ministrisë që ai drejton në Prokuple, në bashkëpunim me Doganat e Serbisë, arrestuan D.P. (1972) nga Shqipëria.
Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe më pas Prokuroria e Lartë Publike në Prokuple do të paraqesë aktakuzën ndaj tij, u tha në njoftim. Sipas autoriteteve serbe, Policia serbe në pikëkalimin kufitar Merdarë, që lidh Kosovën me Serbinë, gjatë kontrollit të një furgoni që drejtohej nga A.P. nga Kosova, gjeti pesë çanta ku gjendeshin “22 bluza, 244 flamuj, 86 kapela me mbishkrimin UÇK, 65 triko me figurën e Adem Jasharit dhe Agim Ramadanit, 58 shall me stemën e Shqipërisë dhe 92 kapele” me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Dyshohet se këto ishin planifikuar të përdoreshin dhe ekspozoheshin në ndeshjen që do të mbahet në Leskovc mes ekipeve të futbollit të Serbisë dhe Shqipërisë”, tha Ministria e Brendshme Serbe.
Ndeshja futbollistike mes Serbisë dhe Shqipërisë do të mbahet në Leskovc më 11 tetor, duke nisur nga ora 20:45. Shqipëria dhe Serbia janë pjesë e Grupit K për ndeshjet kualifikuese në Kampionatin Botëror 2026, së bashku me Letoninë, Andorrën dhe Anglinë.
KOHA JONË SONDAZH

