Autorët e Kumanovës dalin në gjyq në Maqedoni
Nga Sase Dimovski, BIRN
Prokuroria i akuzon burrat shqiptarë etnikë nga Maqedonia dhe Kosova për sulm ndaj policisë maqedonase, “pjesëmarrje në një organizatë terroriste” dhe “terrorizëm”.
Rezultati i përleshjes të armatosur dy ditore në qytetin me etni të përzierë ishin tetë policë të vdekur dhe 50 të plagosur. Dhjetë persona të armatosur u vranë gjithashtu.
Të pandehurit kanë qenë në paraburgim që prej 10 majit dhe tashmë kanë kaluar pothuajse 9 muaj pas hekurave në burgjet në Manastir dhe Prilep.
Shtatëmbëdhjetë nga të pandehurit nuk janë nga Maqedonia, por nga Kosova – Sami Ukshini-Morinë, Andi Krasniqi-Malishevë, Deme Shehu, Fadil Elshani, Esat Kagedzoli, Ardijan Bujari, Shefket Kalaci, Hajrush Avdija, Betim Kabashi, Genci Sefa, Landrit Rustemaj, Mirsat Kerimi, Valdet Sekaj, Bajram Elshani, Lirim Krasnici, Fatimir Recica dhe Bek Bajra.
Një i dyshuar, Enver Hoxha-Klein, ka nënshtetësi kosovare dhe gjermane.
Dhjetë të mbeturit, Kenan Iseni, Fadil Fejzulahi, Irfan Ljutfiu, Lirim Demiri, Nasuf Bekiri, Nedzbedin Lika, Sevdailj Miftari, Fejzula Rushitovski, Besnik Ajdini dhe Arsim Bajrami, janë maqedonas ndërsa i njëmbëdhjeti, Rufki Dogani, banon në Kosovë, por ka lindur në Maqedoni.
Sulmi në rajonin e policisë
Prokuroria thotë se grupi i drejtuar nga Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj – të dy tashmë të vdekur – hartuan një plan për të krijuar një grup terrorist për të cilin ata mblodhën para, armë, municione dhe materiale mjekësore.
Sipas prokurorisë, grupi fillimisht sulmoi dhe grabiti rajonin e policisë në fshatin malor të Goshinces, pranë kufirit të Kosovës më 21 dhe 22 prill.
Grupi i vodhi një sasi të konsiderueshme armësh nga rajoni i policisë, të cilat ata i përdorën tri javë më vonë për sulmin terrorist mbi policinë në Kumanovë.
“Ndrecaj dhe Rizaj, së bashku me Vadet Zekaj, Deme Shehu dhe persona të tjerë të paidentifikuar, të armatosur me pushkë automatike dhe të maskuar, kaluan kufirin Kosovë-Maqedoni më 21 prill 2015.
“Ata u morën nga Nasuf Bekiri, Fejzula Rushitoski dhe Sulejman Osmani, dhe rreth orës 02.30 sulmuan rajonin e policisë në Goshincë, kapën dhe lidhën katër oficerë policie, pas të cilës kontrolluan rajonin dhe morën armët,” shkruhet në akuzën e prokurorisë.
Prokuroria thotë se grupi mori “65 pushkë automatike, tre mitraloza, dy snajperë, 49 armë, 15,600 copë municion të kalibrit 7,62, si dhe mbi 1,700 copë municion të kalibrave të tjerë. Ata morën gjithashtu dylbi, pajisjet radio komunikimi, kamera, një armë me municione, pranga dhe pajisje të tjera nga rajoni i policisë.”
Sipas prokurorisë, grupi i vendosi armatë në automjete dhe u largua, ndërsa Sulejman Osmani i fshehu disa prej tyre në një vend brenda fshatit kufitar të Brestit.
Prokuroria pretendon se grupi, duke ndjekur një plan të hartuar më parë, u infiltrua përsëri edhe një herë në Maqedoni midis 2 dhe 8 majit.
Beteja në Kumanovë
Prokuroria thotë se pasi hyri në Maqedoni, grupi fillimisht u strehua në fshatin Otlja, pranë Kumanovës, në një shtëpi që i përkiste njërit prej të pandehurve, Kenan Isenit.
Në mëngjesin e ditës kritike, më 9 maj, kur filloi shkëmbimi i zjarrit, një njësi speciale policore e cila vepronte me urdhër gjykate kontrolloi shtëpinë në të njëjtën rrugë ku ishte sistemuar grupi, duke kërkuar armët e vjedhura nga rajoni policor në Goshince.
Prokuroria thotë se gjakderdhja filloi kur grupi shpërtheu një bombë në drejtim të policisë speciale, e cila plagosi disa njerëz. Ata më pas hapën zjarr me armë automatike dhe snajpera në drejtim të policisë.
Shkëmbimi i zjarrit zgjati gjithë ditën e nëntë majit dhe vazhdoi dhe më 10 maj. Në fund të tij, tetë oficerë policie kishin humbur jetën dhe 50 ishin plagosur. Dhjetë nga personat e armatosur u vranë gjithashtu.
Me veprimet e tyre, të pandehurit “krijuan frikë mes popullsisë, morën jetë njerëzisht dhe shkatërruan pronën”, thotë prokuroria, duke përfunduar se ata kryen dy vepra penale – “terrorizëm” dhe “pjesëmarrje në një organizatë terroriste”.
Dhjetë personat e armatosur që u vranë në shkëmbin e zjarrit u identifikuan si Mirsad Nrecaj, Beg Rizaj, Samid Kastrioti, Valon Kabashi, Vatlum Vishesela, Xhafer Zumeraj, Nusret Kaljoshi, Arben Rexhaj, Turgaj Gashi dhe Husen Rushiti. Të gjithë ishin shtetas nga Kosova.
Prokuroria ka propozuar që gjykata të thërrasë si dëshmitarë të mbrojtur 49 oficerët e policisë që morën pjesë në luftime. Identitetet e tyre nuk do të bëhen publike.
Bashkëshortet e disa policëve të rënë priten gjithashtu të paraqiten në gjykatë si palë e dëmtuar.
Prokuroria ka këmbëngulur gjithashtu që të gjithë të pandehurit të mbahen në paraburgim, duke vënë në dukje se disa kanë leje qëndrimi dhe familje, lidhje logjistike dhe financiare me Gjermaninë dhe se mund të arratisen nëse lirohen.
Gjyqtarët Verka Petovska dhe Goran Boshevski do të kryesojnë gjyqin. Jo e zakonshme kjo për Maqedoninë, akti i prokurorisë u nënshkrua dhe përfaqësohet në gjykatë jo nga një, por nga dy prokurorë, Naum Panovski dhe Vilma Ruskovska.
Policia do të kenë prani të madhe në Gjykatën Penale në Shkup gjatë gjyqit. Të paktën tre oficerë sigurie do të ruajnë secilin nga të pandehurit gjatë qëndrimit të tyre në sallën e gjyqit.
Avokati mbrojtës që përfaqëson tetë të pandehurit, Naser Raufi, si dhe avokatët e tjerë mbrojtës, kanë kërkuar që të afërmit e të pandehurve të lejohen të jenë të pranishëm në sallë gjatë gjykimit.
Në një seancë paraprake në gjykatën e Shkupit në dhjetor, të 29 të pandehurit mohuan akuzat për terrorizëm dhe thanë se shkëmbimi i zjarrit ndodhi ndërsa ata mbronin veten nga policia.
Avokatët e tyre kanë akuzuar policinë se i kanë trajtuar në mënyrë çnjerëzore të pandehurit ndërsa i merrnin në pyetje dhe shprehen se oficerët e policisë i kanë rrahur ata për ditë me radhë pa i lejuar të merrnin ndihmë mjekësore.
Naser Raufi tha se ai “nuk kishte parë ndonjë provë për krimin” për të cilin akuzohen klientët e tij.
Provat e prokurorisë para gjykatës mbahen në më shumë se 10 kuti dhe dosje.
Ato përmbajnë të dhëna të bisedave telefonike midis të pandehurve dhe njerëzish të punësuar në institucionet shtetërore të Maqedonisë dhe kompani private, siç janë Universiteti Shtetëror i Tetovës, Qendra Mjekësore në Tetovë, Fondit Shtetëror i Pensionit dhe Banka Stopanska nga Shkupi.
Prokuroria thotë se të dhënat janë marrë me urdhër gjykate nga operatorët e Telekomit maqedonas.
Në prova përfshihen gjithashtu dokumentacion me video dhe fotografi nga skena e shkëmbimit të zjarrit, gjatë të cilit në Kumanovë u shkatërruan disa shtëpi.
Në prova përfshihen gjithashtu të dhëna mjeko-ligjore të gjakut të mbledhur në vendngjarje, gëzhoja, armë dhe gjurmë të tjera biologjike.
Dokumentacioni mjekësor mbi të gjithë personat e vrarë dhe të plagosur në përplasjet e armatosura mbahen në kuti të veçanta, përfshirë ato të oficerëve të plagosur, të cilët duhet të paraqiten në gjykatë si dëshmitarë të mbrojtur.
Policia fillimisht raportoi deri në 22 të vdekur në shkëmbimin e zjarrit, por më vonë e ndryshoi numrin në 18, pasi kishte llogaritur keq numrin e personave të armatosur të vrarë aty.
Në provat e tjera të prokurorisë përfshihen të dhëna mjeko-ligjore të armëve të përdorura nga grupi, të cilat duhet të konfirmojnë se ato e kanë prejardhjen nga rajoni policor i grabitur.
Lista e provave, të cilën avokatët mbrojtës janë lejuar ta inspektojnë para gjykimit, përfshin edhe shumë të dhëna të klasifikuara që u desh të deklasifikoheshin për përdorim në gjykatë.
Një çështje me përfshirje të gjera
Në vitin 2001, Maqedonia kaloi një konflikt të shkurtër të armatosur midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave të sigurisë.
Konflikti përfundoi të njëjtin vit me nënshkrimin e një marrëveshje paqe të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët, e cila garantoi të drejta më të mëdha për shqiptarët, të cilët përbëjnë një të katërtën e 2.1 milion banorëve të vendit.
Shkëmbimi i zjarrit në Kumanovë ndodhi në një kohë krize për Maqedoninë, e cila vërtitej rreth pretendimeve të opozitës se kryeministri Nikola Gruevski urdhëroi përgjimin e paligjshëm të rreth 20,000 njerëzve.
Disa kanë akuzuar autoritetet se e organizuan në fakt dhunën për të larguar vëmendjen nga kriza e vazhdueshme.
Disa ditë pas kasaphanës, ministrja e brendshme Gordana Jankuloska dhe shefi i policisë sekrete Saso Mijalkov dhanë dorëheqjen.
Megjithatë, në kërkesat e tyre për dorëheqje që iu kaluan parlamentit, ata këmbëngulën se largimi i tyre nuk kishte lidhje me ngjarjet në Kumanovë.
Dyshimet e shprehura atëherë nga liderë të opozitës dhe disa vëzhgues politikë se shkëmbimi i zjarrit ishte një sajim politik për të larguar vëmendjen nga kriza që kishte prekur qeverinë e Gruevskit mbeten ende të pazgjidhura.
Mbrojtja tani dëshiron që në provat që do të sillen para gjyqit të përfshihen edhe regjistrime të bëra nga shërbimet sekrete të vendeve të tjera, si edhe ato të Maqedonisë, të cilat dyshohet se tregojnë se grupi është paguar nga autoritetet 2 milion euro për të kryer këtë operacion në Maqedoni.
Disa vende të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermania, vitin e kaluar mbështetën thirrjet vendase për një hetim ndërkombëtar të përplasjeve të armatosura.