Avionët turq ngrihen në fluturim pas kërcënimit të Greqisë
Avionët luftarakë të Turqisë kanë shkelur hapësirën ajrore greke pasditen e sotme të cilët fluturonin në formacione të rregullta mbi detin Egje.
Sipas shtypit grek, ka patur gjashtë raste të shkeljes së territorit të Greqisë. Disa avionë ishin F16, kurse të tjerë ishin të armatosur. Të gjithë avionët luftarakë turq u zbuluan dhe u identifikuan sipas rregullores.
Këto provokime të Turqisë vijnë pas kërcënimit të Greqisë. Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos deklaroi se Ankaraja do ta paguajë nëse bën lëvizje te gabuara. “Nëse bëjnë edhe lëvizjen më të vogël, do t’i shtypim“, tha ai duke iu referuar 110 shkeljeve arjore të bëra ditën e enjte nga avionët turq mbi Egje, kryesisht mbi ishullin Kastelorizo.
Në këtë të fundit, ishte dje për vizitë pikërisht ministri Kamenos. Pak minuta pas helikopteri i tij u ul në këtë ishull, mbi Egje fluturuan avionët e Turqisë. Tensionet mes dy vendeve në Egje janë të shpeshta. Kujtojmë që disa muaj më parë, një anije turke përplasi luftanijen greke.