Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim kryen në Sarajevë mbledhjen vjetore nga 7-9 maj
Rajoni E Shtunë, 25 Shtator 2021 08:40
Mbledhja Vjetore e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është një prej eventeve më të rëndësishme rajonale, që në 20 vitet e fundit është organizuar në Bosnje-Hercegovinë. Eventi mbledh më shumë se 2000 përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar të biznesit, ministra të financave, guvernatorë të bankave qendrore të 67 vendeve anëtare të këtij insitutcioni të madh financiar, si edhe përfaqësues të menaxhimit të BERZH. Në prag të kësaj mbledhjeje të rëndësishme, Mirko Saroviç, Ministër i Tregtisë së Jashtme dhe i Marrëdhënieve Ekonomike dhe Enco Quatroçoke, Sekretari i Përgjithshëm i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, nënshkruan Marrëveshjen Administrative, si një hap i rëndësishëm, që paraprin ngjarjen e ardhshme. “Ky është një prej projekteve, që e kam përkrahur që në vitin 2010, ndaj jam vërtet i lumtur, që mbështesim organizimin e këtij eventi kaq të madh. Më kënaq edhe fakti që gëzojmë përkrahjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shpresoj që ky të jetë rasti të prezantojmë së bashku potencialet që kemi për të përparuar ekonomikisht. E kemi vetë në dorë, që ta kthejmë rajonin në një vend të bukur për të jetuar,” theksoi Mirko Saroviç, Ministër i Tregtisë së Jashtme dhe i Marrëdhënieve Ekonomike. Tema kryesore e forumit të sivjetshëm të biznesit do të jetë “Lidhja e ekonomive për rritje të qëndrueshme” dhe programi do të mbulojë një mori temash me rëndësi për vendet ku operon BERZH: investime, migrim, turizëm në Evropën Juglindore, digjitalizim. Edhe diskutimet do të mbulojnë probleme rajonale me fokus mundësitë e investimit në Ballkanin Perëndimor. “Kjo Mbledhje Vjetore siguron mundësi ideale për investimet potenciale, rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të punës. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dëshiron të jape kontributin e saj në krijimin e një ekonomie, që do të sjellë mirëqenie dhe rritje të popullsisë vendase, si edhe krijimin e kushteve për përshpejtimin e futjes së Bosnje-Hercegovinës në Bashkimin Europian. Jam i sigurt që në të ardhmen do ta kujtojmë këtë event, si një hap të rëndësishëm drejt mbërritjes së këtyre synimeve,” tha Enco Quatroçoke Sekretari i Përgjithshëm i BERZH. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është një institucion financiar ndërkombëtar, që mbështet projekte në 30 vende të botës dhe vitin e shkuar investoi 1,1 miliard Euro në vendet e Ballkanit Perëndimor.