Bankieri rrestohet për kredinë e vilës së kryeministrit

Placeholder Image

Prokuroria i kërkoi një gjykate në Bosnjë të ndalojë Slobodan Pavlovic, pronarin e bankës Pavlovic, si dhe tri të dyshuar të tjerë për 30 ditë.

Nga Rodolfo Toe, BIRN

Prokuroria e shtetit të Bosnjës kërkoi të premten gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës të ndalojë  Slobodan Pavlovic, pronari i bankës Pavlovic për 30 ditë si dhe ish drejtoren e bankës Ljiljana Garic, krahas dy punonjësve të tjerë të departamentit të kredisë.

Prokuroria tha se kishte frikë se të dyshuarit nëse mbeten të lirë “mund të pengojnë hetimet penale kundër tyre duke shkatërruar apo fshehur prova të rëndësishme apo të ndikojnë dëshmitarët.”

Policia hetimore e Bosnjës SIPA arrestoi të dyshuarit Pavlovic, Lazic, Garic dhe Blagojevic të enjten ndërsa prokuroria i mori ato në pyetje të premten.

Avokati i tyre, Miodrag Stojanovic, i tha faqes së internetit Klix se të katërt kanë zgjedhur të heshtin.

“Të katërt vendosën që në këtë fazë të mbrojnë veten duke qëndruar të heshtur ndërsa Prokuroria vuri në dispozicion një dokumentacion voluminoz financiar si dhe gjetjet kryesore të ekspertëve financiarë të SIPA-s”, tha Stojanovic.

Stojanovic tha gjithashtu se të katërt janë akuzuar për pastrim parash, abuzim me pushtetin dhe falsifikim dokumentesh.

Banka Pavlovic është në qendër të debatit në lidhje me një vilë në Beograd e cila u ble nga Milorad Dodik, presidenti i Republikës Srpska, pjesa e dominuar nga serbët e federatës së Bosnjës.

Në mes të janarit, SIPA kreu kontrolle në zyrat e bankës në qytezën lindore të Bijeljina. Drejtoresha Ruzica Jankovic në atë kohë tha se hetuesit “po kërkonin për prova në lidhje me një kredi që banka i kishte thënë Dodik për blerjen e një vile në kryeqytetin e Serbisë në vitin 2007.”

Megjithëse prokuroria nuk ka pohuar se kontrolli lidhej me kredinë për Dodik, veprimet e saj erdhën pasi partia kryesore në opozitë në Republikën Srpska, Partia Demokratike e Serbëve, deklaroi publikisht se Dodik dhe Pavlovic kishin organizuar një transfertë ilegale të 750 mijë eurove për Dodik kur ky i fundit ishte kryeministër i Republikës Srpska.

Presidenti i Republikës Srpska reagoi i zemëruar ndaj lajmit të arrestimeve.

“Është e qartë se këto kohë vendi më i rëndësishëm në Bosnjë dhe Hercegovinë është Prokuroria e Shtetit, ekzistenca e të cilës nuk ka bazë kushtetuese por askush nuk duket i interesuar për këtë fakt,” tha Dodik të enjten.

“Pothuajse çdokush që ka bërë diçka po përndiqet,” gjë që ‘do të na shkaktojë ne humbjen e shumë investitorëve,” tha ai.

“Arsyeja e të gjithë kësaj është absolutisht e parëndësishme dhe jo mjaftueshëm e madhe për të justifikuar shpejtësinë e asaj që po ndodh,” vijoi Dodik.

Aleanca për Ndryshim, një koalicion i partive kryesore opozitare në Republikën Srpska tha se kjo është vetëm fillimi i një lufte të gjerë kundër korrupsionit dhe krimit.

“Arrestimi i pronarit të bankës Pavlovic është vetëm fillimi i një lufte finale kundër krimit dhe korrupsionit,” deklaroi Zdravko Krsmanovic, një deputet.

SHKARKO APP