BE apel Serbisë: Zbato rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet

Bashkimi Evropian thotë se raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet në Serbi konfirmoi edhe njëherë shqetësimet e bllokut, rreth parregullsive në zgjedhjet parlamentare dhe lokale që u mbajtën në 17 dhjetor.

Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha në raportin përfundimtar se ”zgjedhjet u mbajtën në kushte të padrejta dhe u dëmtuan nga retorika e ashpër, presioni ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se raporti rikonfirmon shqetësimet e bllokut për procesin e zgjedhjeve në Serbi. “Procesi elektoral në Serbi kërkon përmirësime të dukshme dhe reforma të mëtejshme, sepse funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është në thelb të procesit të anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian”, tha Stano.

Ai tha se raportet për parregullsi duhet të hetohen në mënyrë transparente, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale, ndërsa mirëpriti siç tha gatishmërinë e autoriteteve në Serbi për të punuar në zbatimin e rekomandimeve.

SHKARKO APP