BE kritikon Kosovën: Po bën shumë hapa të njëanshëm
Bashkimi Europian kritikon Kosovën lidhur me sinjalin për hapjen e urës mbi Ibër që lidh Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut. Zëdhënësit Peter Stano thotë se qeveria në Prishtinë po bën shumë veprime të njëanshme që shtojnë rrezikun për kriza të reja. Ai thotë se BE-ja është e interesuar në parandalimin e tyre, që duhet të ndodhë në tryezën e dialogut.
“Ne jemi shumë të interesuar të parandalojmë një krizë më shumë, ka pasur mjaft kriza tashmë, dhe shumë pak zgjidhje apo hapa që çojnë drejt uljes së tensioneve. Sa i përket urës, hapja e urës së Mitrovicës në fakt është temë e dy marrëveshjeve brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja nga viti 2015 dhe 2016, dhe përkundër përpjekjeve tona lehtësuese si Bashkim Europian, ndër vite, kjo urë mbetet e mbyllur për qarkullim.
Dhe duke qenë se kjo është një çështje që i përket kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim që lidhet me urën duhet të diskutohet dhe të zhvillohet në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e përfaqësuesve zyrtarë të të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, kjo është shumë e qartë.
Prandaj ne vazhdojmë thirrjen tonë për të dyja palët që të ecin përpara me zbatimin e të gjitha marrëveshjeve në pritje. Të gjithë këta hapa të njëanshëm, hapa të pakoordinuar po ndërmerren dhe po e zhvendosin fokusin dhe vëmendjen nga prioriteti kryesor, dhe prioriteti kryesor tani për të dyja palët duhet të jetë arritja e marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”.