Bejli: Jam optimist për të ardhmen e Maqedonisë
Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë sot e promovoi gjeneratën e 14-të të absolventëve, ndërsa në solemnitet morën pjesë edhe ambasadorët e SHBA-së dhe të Sllovenisë, Xhes Bejli dhe Milan Jazbec dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Maqedoni, Arbër Ademi.
Ambasadori Bejli në fjalimin e tij tha se është optimist edhe për të ardhmen e Universitetit të EJL-së dhe për të ardhmen e Maqedonisë si vend.
“Ky është fillim i ri për Universitetin pasi profesori Abdulmenaf Bexheti do ta ndërmarrë funksionin e rektorit, ndërsa profesori Zamir Dika do të fillojë fazë të re në karrierën e tij. Në përgjithësi ky është moment për fillime të reja për Republikën e Maqedonisë pasi kryeministrat Zaev dhe Cipras do të takohen në Prespë për ta nënshkruar marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit për emrin që e pengoi progresin e vendit drejt NATO-s dhe BE-së. Unë jam optimist edhe për të ardhmen e UEJL-së edhe për Maqedoninë si vend”, theksoi Bejli.
Absolventëve u tha që njohuritë e tyre t’i përdorin në dobi të shoqërisë dhe të kontribuojnë për zhvillimin e shtetit.
Ministri Ademi u dëshiroi sa më parë t’i realizojnë planet dhe qëllimet e tyre. “Personalisht jam i bindur se të gjithë janë të gatshëm t’u përgjigjen sfidave në tregun e punës apo nga ana tjetër të vazhdojnë me nivel më të lartë të studimeve”, tha Ademi.
Solemniteti përfundoi me hedhjen e kapelave të rreth pesëqind absolventëve të UEJL-së.