Bëni kujdes, ka mbi 200 kamera sigurie nëpër rrugë dhe sheshe
Mbi 200 kamera të sigurisë janë vendosur rrugëve në disa zona të caktuara në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës. Sipas policisë, kamerat janë mirëpritur nga qytetarët dhe do të shtojnë sigurinë për të gjithë komunitetet në këtë pjesë të vendit.
Kryqëzimet e rrugëve dhe sheshet kryesore në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan tashmë monitorohen edhe përmes kamerave nga Policia e Kosovës. Për Policinë e Kosovës këto janë vendosur për sigurinë e qytetarëve.
Kamerat janë vendosur edhe në bashkëpunim me Agjencinë për Informim dhe Privatësi në mënyrë që vendosja e tyre të mos cenojë privatësinë e qytetarëve. Policia në veri po shpreson që numri i kamerave të shtohet me kalimin e kohës dhe të mbulohen edhe hapësira të tjera.
Më herët në katër komuna veriore, strukturat ilegale serbe kishin vendosur kamera të vëzhgimit që dyshohet se kanë qenë të qasshme edhe për institucionet e sigurisë së Serbisë. Të njëjtat ishin sekuestruar nga Policia e Kosovës.