Betohet parlamenti grek
300 deputetë, nga të cilat 61 gra dhe 112 anëtarë të rinj, u betuan të mërkurën në parlamentin e ri të Greqisë. Qeveria e kryeministrit Qirjakos Micotaqis ka premtuar ndryshime të thella në sferën ekonomike, ndërsa ndan edhe disa qëndrime të kundërta politike mes paraardhësit e tij socialistë.
6 partitë politike të dala pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 korrikut në Greqi kanë marrë zyrtarisht detyrën.
300 deputetët e Kuvendit të ri u betuan të mërkurën në një ceremoni të mbajtur përpara kryepeshkopit Jeronim dhe sinodit të shenjtë.
“Demokracia e Re” e kryeministrit Qirjakos Micotaqis në këtë legjislaturë numëron 158 mandate.
Ndërkohë aleanca e “Sirizës” e paraardhësit të tij, Aleksis Cipras, përfaqësohet nga 86 deputetë, dhe partitë e vogla “Lëvizja për Ndryshim”, “Partia Komuniste Greke”, “Zgjidhja” dhe “Lëvizja për Demokraci në Europë” ndajnë bashkërisht 56 mandatet e mbetura.
Kreu i qeverisë konservatore prej javës së kaluar është shprehur i vendosur të përmbushë premtimet elektorale, ku prioritet mbetet rigjallërimi i ekonomisë së vendit përmes incentivave fiskale dhe privatizimeve.
Objektiva të tjerë politikë do të parashtrohen në fundjavë, kur qeveria do i nënshtrohet edhe votëbesimit.
Paraprakisht, kabineti i ri ka treguar se nuk pajtohet me disa vendime të paraardhësve socialistë, siç u konfirmua një ditë më parë me nismën e ish-kryeministrit Cipras për të shkëputur klerikët ortodoksë nga statusi i tyre si nëpunës civilë dhe për të rishikuar raportet shtet-kishë.
Në Maqedoninë e Veriut priten me interes qëndrimet rreth zbatimit të Marrëveshjes së Prespës.
Ndërkohë, të enjten, propozimi i veteranit, Kostas Tasulas, si kryeparlamentar i vendit mund të marrë mbështetjen si të demokratëve, edhe të opozitës socialiste.