Biden, Zaevit: Marrëveshja e Prespës, sukses për gjithë Evropën

Ish-nënpresidenti amerikan, Joe Biden e ka vlerësuar si historike marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Zgjidhja e kësaj çështjeje mes dy vendeve është edhe sukses i mbarë Evropës, thuhet në letrën të cilën Biden i ka dërguar kryeministrit, Zoran Zaev.

“Suksesi i Maqedonisë së Veriut është sukses i gjithë Evropës, dhe ajo është mirë për të gjithë”, ka shkruar në letër ish-nënpresidenti i SHBA-së, Joe Biden duke shtuar se “me padurim e pret ditën kur Republika e Maqedonisë së Veriut do të bëhet anëtare e plotfuqishme e NATO-s”.

“Vendi juaj i kë vënë themelet e sigurisë. Ju siguroj se unë personalisht do të përfaqësoj politikat e juaja dhe përkushtimin për të ardhme më të mirë”, thuhet në letrën e ish-nënpresidentit amerikan.

Marrëveshja mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për zgjidhjen e kontestit ishte arritur më 17 qershor 2018. Të dyja vendet kanë kaluar një periudhë të gjatë dhe përplot me tensione deri në ratifikimin e saj nga Parlamentet e tyre.

Greqia kishte bllokuar për 27 vjet përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian, për shkak të pohimeve se fqinji i saj ka pretendime territoriale ndaj rajonit të saj verior që mban emrin Maqedoni.

Pas miratimit të protokollit për anëtarësim në NATO, Maqedonia e Veriut në qershor pret hapjen e negociatave me Brukselin për anëtarësim në Bashkimin Evropian./Rel

SHKARKO APP