Bildt në Shkup: Respektoni Kushtetutën,

‘Demokraci. Kushtetutë. Evropë. Respektimi i këtyre tri çështjeve do ta çojnë përpara Maqedoninë’. Kështu ka deklaruar në Shkup’, Carl Bildt, bashkëkryesues i Institutit të Këshillit Evropian për politikë të jashtme dhe ish shef i diplomacisë suedeze.

Pas takimit me liderin opozitar social-demokrat, Zoran Zaev, Bildt tha se në çdo shtet demokratik ka kushtetutë e cila duhet të respektohet, duke aluduar kështu në krizën politike që po mbahet peng nga presidenti Gjorge Ivanov dhe partia VMRO DPMNE, të cilët po pengojnë formimin e qeverisë së re edhe pse LSDM-ja dhe partitë shqiptare kanë tanimë shumicën parlamentare.

“Ju kishit zgjedhje, keni Kushtetutën si çdo shtet evropian. Ndonjëherë mund të ketë probleme, por duhet të respektoni Kushtetutën dhe praktikat demokratike. Kjo është mënyra e vetme se si zgjidhen problemet në demokracinë Evropiane”, ka deklaruar Bildt.

Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, siç thuhet në një njoftim me shkrim të kësaj partie ka përsëritur qëndrimin për zhbllokimin e shpejt të proceseve në përputhje me kushtetutën dhe zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.

“Së shpejti do të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit e më pas edhe qeveria e re reformuese. Ky është vendim i shumicës parlamentare i shprehur në zgjedhje dhe të gjitha institucionet janë të obliguara të marrin masa për transferimin e pushtetit”, ka thënë Zaev.

Bashkëkryesuesi i Institutit të Këshillit Evropian për politikë të jashtme ka gjatë ditës takon edhe liderëve e partive tjera politike BDI, të lëvizjes BESA, Aleancës për Shqiptarët, por jo edhe me presidentin Gjorge Ivanov.

Pas takimit kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti njëjtë sikur edhe lideri i LSDM-së është angazhuar për zhbllokimin e institucioneve duke thënë se kjo mund të bëhet edhe pa pëlqimin e VMRO-së.

Paraprakisht nga kabineti presidencial thanë se Ivanov ka refuzuar të takohet me Carl Bildt për shkak të obligimeve tw tjera të presidentit. Por, Bildt përgënjeshtroi të ketë kërkuar takim edhe me kreun e shtetit.

“Nuk mund të thoni se ai ka refuzuar të takohet me mua, pore them sinqerisht ne nuk jemi të interesuar aspak ta takojmë atë. Kemi shumë takime të tjera primare me forcat politike dhe nuk jemi këtu për ta takuar Presidentin. Derisa nuk e kam takuar atë dhe nuk e kam dëgjuar nuk mund ta komentoj pozicionin e tij. Së pari do t’i dëgjojmë forcat politike”, ka deklaruar Bildt.

Njoftimi i presidencës se Ivanov nuk do të takojë zyrtarin nga Brukseli është transmetuar gjerësisht në opinion duke rikujtuar edhe vendimin e mëhershëm të tij për të mos takuar komisionarin për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn gjatë vizitës së fundit në Shkup.

Presidenti po udhëheqë një politikë kritikuese ndaj bashkësisë ndërkombëtare për shkak të kërkesave për respektimin e shumicës së re parlamentare, por edhe akuzave ndaj tij për bllokimin e procesit të zgjedhjes së qeverisë së re.

Bashkëkryesuesi i Institutit të Këshillit Evropian për politikë të jashtme, Carl Bildt, para mediave tha se ndodhet në Shkup në një mision inspektimit të krizës politike, për të grumbulluar informacione të cilat më pas do t’i dorëzohen liderëve evropian në bazë të të cilave Brukseli do të sjell vendim lidhur me gjendjen në Maqedoni.

SHKARKO APP