Bisedimet me Greqinë për emrin, Zaev: Të gatshëm të shtojmë një “përcaktues gjeografik”
Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, thotë se vendi i tij dhe Greqia kanë bërë progres të rëndësishëm drejt zgjidhjes e mosmarrëveshjes për emrin, që zgjat për një kohë të gjatë. Zaev tha se qeveria e Maqedonisë është e gatshme ta shtojë një “përcaktues gjeografik” në emrin e vendit, një ndryshim që është kërkuar nga Greqia.
Por, ai theksoi se ka edhe çështje të tjera kontestuese, përfshirë atë se si do të quhet zyrtarisht gjuha maqedonase.
Maqedonia dhe Greqia për më tepër se 25 vjet kanë mosmarrëveshje të ashpër lidhur me të drejtën për emrin Maqedoni.
Greqia thotë se duke e përdorur këtë emër, vendi fqinj shpreh pretendim ndaj provincës greke me të njëjtin emër. Lidhur me këto çështje, ministrat e Jashtëm të të dy vendeve janë takuar këtë javë në Vjenë, së bashku me ndërmjetësuesin e Kombeve të Bashkuara, Matthew Nimetz.