Bosnja, Mali i Zi: Nuk presim emigrantë
Bosnja dhe Mali i Zi kanë përsëritur fjalët e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, duke thënë se ato s’do të pranojnë të ngrenë kampe emigrantësh në vendet e tyre.
Ndërsa krerët e BE-së u takuan në Bruksel për një samit të enjten dhe të premten për të diskutuar mbi emigracionin ndër çështje të tjera dhe pas debateve në Shqipëri mbi faktin nëse qeveria e saj kishte pranuar të ngrinte kampe për emigrantët, Bosnja dhe Mali i Zi kanë ndërhyrë duke thënë se as këto vende nuk do të ngrenë qendra të tilla.
Ministri boshnjak i sigurisë Dragan Mektiç tha të mërkurën se Bosnja dhe Hercegovina nuk do të lejonte ngritjen e ndonjë qendre apo kampi të tillë në territorin e saj.
“Kampet dhe qendrat e pritjes as që diskutohen. Nuk më interesojnë paratë e askujt, as paratë e BE-së. Në Bosnje nuk do të ngrihen kampe refugjatësh. Isha i qartë për këtë çështje,” tha Mektiç në Sarajevë.
Në të njëjtën kohë, duke iu përgjigjur pyetjeve mbi këtë çështje, kryeministri i Malit të Zi, Dusko Maroviç, tha gjithashtu se Mali i Zi nuk do të ngrinte qendra të tilla me kërkesë të BE-së.
“Mali i Zi do të merret me emigrantët në përputhje me parimet e tij kushtetuese dhe demokratike, bazuar në ligj, në parimin e solidaritetit. Vetëm një Mal i Zi i tillë ka një perspektivë dhe një të ardhme,” tha Maroviç.
BE-ja është gjithnjë e më e ndarë në lidhje me çështjen e migracionit, me vendet e Mesdheut që kërkojnë t’i jepet fund të ashtuquajturës Rregullore të Dublinit, sipas të cilës azilkërkuesit duhet të kërkojnë azil dhe të shqyrtohen në vendin e parë të BE-së ku mbërrijnë.
Italia, Greqia, Malta dhe Spanja thonë se kjo u lë atyre një barrë të padrejtë, pasi shumica e emigrantëve dhe refugjatëve që shkojnë drejt Europës e kalojnë Mesdheun nga Afrika e Veriut.
Besohet se disa vende të BE-së, përfshirë Franca, po nxitin krijimin e qendrave të tilla në periferi të BE-së – prandaj Shqipëria, Tunizia dhe disa vende të tjera janë përmendur si mikpritëse të mundshme.
Ndërkohë, numri i emigrantëve dhe refugjatëve po rritet gjithashtu në rrugët tokësore në Europën Juglindore.
Nga janari deri në fund të majit, Bosnja, Mali i Zi dhe Shqipëria regjistruan më shumë se 6,700 emigrantë të rinj dhe azilkërkues, më shumë se dyfishi i 2,600 të regjistruarve në të tri vendet gjatë të gjithë vitit 2017.
Raportet e mediave thonë se emigrantët dhe refugjatët që kalojnë Ballkanin vijnë kryesisht nga Siria, Pakistani, Afganistani, Algjeria, Libia, Maroku, Palestina dhe Iraku.