Çështja e detit trazon politikën helene. Replika mes Bakoyannis dhe Kotzias në Kuvend

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i thirrur në interpelancë nga ish-ministrja e Jashtme, Dora Bakoyannis, për çështjen e negociatave të kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, ka theksuar gjatë përgjigjes së tij në Parlament se qeveria e tij po përpiqet të negociojë dhe të sjellë një marrëveshje që do t’u shërbejë të dyja vendeve.

“Marrëveshja e re ka të bëjë me 9% të sipërfaqes së detit midis Greqisë dhe Shqipërisë. 1.190 kilometra katrorë i përkasin palës greke nëse zgjeron me 12 milje zonën bregdetare, 1.220 kilometra katrorë i përkasin palës shqiptare, e cila tashmë e ka zgjeruar zonën e saj detare me 12 milje, ndërsa mbetet një pjesë rreth 9% e zonës detare për t’u negociuar. Ajo që duhet të zbulojmë është nëse ka çështje të tjera teknike që duhen zgjidhur”, tha Nikos Kotzias.

“Marrëveshja e vitit 2009 është bërë në bazë të vijës së mesme në totalin e përcaktimit të kufirit detar, duke dhënë edhe ndikimin e plotë në këtë përcaktim të ishujve grekë. Qeveria juaj ka synim të ndjekë parimin e së drejtës të gjykimit në vend të vijës së mesme? E mendoni se me këtë lloj gjykimi mund të krijojen precedentë negativë, që nuk do të shërbenin në negociatat e ardhshme për zona të tjera detare të vendit?”, tha Dora Bakoyannis.

Ish-ministrja e Jashtme greke ka kërkuar gjithashtu nga kryediplomati grek listën e negociatorëve, si dhe një kontekst të marrëveshjes, duke e akuzuar atë për negociata të fshehta me Tiranën.

Nga ana e tij, Kotzias ka bërë me dije se 8 prej 10 personave që përbëjnë grupin negociues janë pjesëtarë të administratës, një është personalitet në fushën e së Drejtës dhe një tjetër në fushën e hartave, duke theksuar se nuk ka asnjë prej bashkëpunëtorëve të tij.

Ai ka sqaruar se Greqia nuk po shkon në negociata për të humbur 100% të ndikimit në delimitim nga ishujt pranë Korfuzit, siç ka bërë qeveria “Karamanlis” e vitit 1977, kur në marrëveshjen me palën italiane kanë rënë dakord për një vijë detare që ndikohej në masën 70% nga ishulli Othonoi.

Gjithashtu, ai ka akuzuar konservatorët se, jo vetëm nuk miratuan në Parlament marrëveshjen e vitit 2009, por filluan të kryejnë pa rezultat edhe negociata të fshehta me palën shqiptare në vitin 2014./tch/

SHKARKO APP