Cipras në vatrën e tragjedisë
Kryeministri grek Aleksis Cipras ka vizituar mëngjesin e kësaj të hëne zonat e shkrumbuara nga zjarri apokaliptik që përfshiu një pjesë të Athinës Lindore një javë më parë, duke lënë 88 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur.
Shefi i qeverise greke shprehu “hidhërimin e tij të papërshkrueshëm” dhe “respekt të madh” për ata që luftuan me flakët dhe tani janë të përfshirë në punën e restaurimit pas zjarrit.
“Sot kam vizituar vendin e tragjedisë. Kam biseduar me civilët, inxhinierët, ushtarët, zjarrfikësit dhe vullnetarët. Hidhërim i pabesueshëm, por respekt i pafund për ata që luftuan me flakët dhe tani po luftojnë në betejën e rehabilitimit”,- tha Tsipiras.
Cipras u takua me qytetarët, zjarrfikësit dhe ushtarët, si dhe u informua për situatën nga nënkryetari i Brigadës Zjarrfikëse, si dhe nga inxhinierët e Ministrisë së Infrastrukturës në terren.
Tsipras mori “përgjegjësi politike” për tragjedinë, por opozita kërkon largimin e tij nga posti, për shkak se qeveria e tij nuk bëri asgjë për të parandaluar një humbje të tillë. Sipas saj marrja e përgjegjësisë, do te thotë të japësh dorëheqjen.