Covid-19/ 47 viktima dhe 627 raste të reja në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut
Maqedonia e Veriut ka regjistruar 47 të vdekur dhe 627 të infektuar nga koronavirusi në 24 orët e fundit, ndërsa të shëruar janë 765 persona. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë numri më i madh i viktimave është shënuar në Shkup, me 22 të vdekur ndërsa numër më të vogël kanë 15 qytete tjera.
Mosha e personave të vdekur është mes 44 dhe 92 vjeç, ka bërë të ditur Instituti i Shëndetit Publik. Që nga fillimi i pandemisë në Maqedoninë e Veriut me COVID-19 janë diagnostikuar rreth 148 mijë persona, prej tyre 125 mijë janë shëruar, 4.556 e kanë humbur jetën ndërsa afër 18.500 janë ende raste aktive.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar edhe për nisjen e vaksinimit të personave të moshës mbi 70 vjeç me vaksinën Pfizer, pas mbërritjes së mbi dhjetë mijë dozave të këtij lloji më 26 prill, ndërsa 200 mijë vaksina kineze do të mbërrijnë deri në fund të muajit.
Deri të mërkurën në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar mbi 43 mijë qytetarë kurse rreth 190 mijë të tjerë janë paraqitur për vaksinimin. Me vendim të qeverisë, masat shtrënguese kanë vazhduar edhe një javë, si kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 20.00 deri në orën 05.00 si dhe puna e objekteve të gastronomisë.