Deputeti serb: Nuk ka kapacitete të sulmojë Kosovën, Perëndimi e ka në dorë

Kosova nuk duhet të ketë frikë, pasi Serbia nuk ka kapacitetet për t’i shpallur luftë. Kështu thotë ish-deputeti nga radhët e partisë së Vuçiçit, Dragan Sormaz, i cili në një intervistë ekskluzive për A2 CNN i quan si propagandë kërcënimet e Beogradit. Teksa e cilëson atë si përgjegjësin e vetëm për sulmin në Banjskë, ish-deputeti serb thotë se dështimi në planin për të aneksuar veriun e ka gjunjëzuar atë përpara Perëndimit.

Zoti Dragan Sormaz, faleminderit shumë për kohën tuaj.

Faleminderit për ftesën.

Dua ta nisim me situatën e sigurisë në rajon. Si e shihni atë? A i druheni më të keqes? Sepse liderët në Prishtinë janë gjithmonë në gatishmëri…

E dini, ne kemi një thënie në Serbi: “Kur të kafshon gjarpri, ke gjithmonë frikë, madje edhe nga hardhuca”. Kjo është arsyeja pse ata janë në gatishmëri. Por, një pjesë e kësaj është thjesht propagandë. Jam i sigurt 100% se nuk ka asnjë kërcënim ndaj sigurisë në Kosovë nga Serbia. Sepse kur flitet për këtë, gjithmonë flitet për Serbinë.

Përse jeni kaq i sigurt për këtë?

Jam shumë i sigurt sepse e njoh politikën e Serbisë. E di situatën në Serbi dhe i di detyrimet që ka Serbia si vendi kandidat ndaj Brukselit, bashkëpunimin apo lidhjet me Uashingtonin. Nuk ka se si, jam 100% i sigurt. Jua them këtë kryesisht qytetarëve të Kosovës. Mos kini frikë, asgjë nuk do të ndodhë dhe asgjë nuk mund të ndodhë nga Serbia. Ndoshta mund të them diçka që nuk është e mirë për vendin tim, por është e vërtetë. Serbia nuk ka kapacitet të sulmojë askënd në rajon, përfshirë Kosovën.

Por, Vuçiç ka blerë shumë armë nga Kina dhe Rusia.

Prapë nuk mjafton. Nuk është ende e fortë për të nisur ndonjë konflikt në rajon, pasi jemi të rrethuar nga vendet e NATO-s. E dini, nëse sulmohet njëri prej tyre, për shembull Maqedonia e Veriut ose Mali i Zi, do të kemi probleme me të gjithë NATO-n. Serbia tani është më e dobët seç ishte në vitin 1999 pasi u bombarduam nga NATO, pa një mbrojtje efektive tokësore dhe gjithçka tjetër. Dhe tani të gjithë janë NATO. Edhe Kosova e ka misionin e NATO-s dhe nuk është e mundur që Serbia ta bëjë këtë. Do të kishte pasoja të tmerrshme. Do të ishte e tmerrshme për Serbinë, jo për shtetin që Serbia sulmon.

Por, Presidenti Vuçiç vazhdimisht përpiqet…

Presidenti Vuçiç nuk është Serbia, është vetëm një njeri.

Po ai në fakt gjithmonë përpiqet të destabilizojë, veçanërisht veriun e Kosovës.

Është politikë, është thjesht një lojë lufte. Ai përpiqet të përdorë problemet e pazgjidhura në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës për arsye të brendshme për Beogradin, për Serbinë. Dhe ai përdor njerëzit, veçanërisht serbët në Kosovë për agjendën e tij, sepse ai po përhap gënjeshtra në të gjithë Serbinë për gjendjen e tyre. Dhe kjo është arsyeja pse ai gjithmonë flet për terrorizmin e Kurtit apo presionin ndaj serbëve dhe gjithçka tjetër. Ai i bëri serbët në Kosovë të frikësohen dhe serbët në Serbi të shqetësohen për gjithçka. Dhe kush do ta zgjidhë problemin? Ai do ta zgjidhë problemin… Por, për dhjetë vjet nuk zgjidhi asgjë.

A janë njerëzit në Serbi të gatshëm të pranojnë se Kosova është shtet?

Jo, nuk janë.

Përse?

Ndodh për shkak të propagandës, sepse ata nuk e njohin realitetin. Ata nuk e kuptojnë se çfarë ndodh me Kosovën. Ju e kuptoni sepse ju punoni në televizion. Televizioni është një instrument i fuqishëm për përhapjen e gënjeshtrave propagandistike. E shihni se çfarë po bën Putini ose Rusia në të gjithë botën. Njerëzit në Serbi nuk e kuptojnë se çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe se si është situata atje, pasi u serviren gënjeshtra. Jemi shumë afër, jemi fqinj. Ne jetojmë prej shekujsh pranë njëri-tjetrit. Dhe tani në Serbi njerëzit nuk dinë asgjë për Kosovën. Asgjë. Ata dinin për Kosovën në shekullin e 13 dhe të 14, por tani jo më.

Ne kemi një proces te normalizimit të marrdhënieve, Dialogun. Si e shihni ju të gjithë procesin? A po shkojmë në drejtimin e duhur apo jo?

Ne po shkojmë në drejtimin e duhur, por po ecim ngadalë. Dhe mendoj se për këtë duhet të fajësohen të gjithë në dialog. Serbia, BE-ja dhe Kosova, të gjithë. BE ndonjëherë nuk tregon vullnet të mjaftueshëm, njohuri të mjaftueshme. Nuk di si ta them këtë, por ndonjëherë ata nuk duken të interesuar për ta zgjidhur problemin shpejt. Nuk e kuptoj pse. Sepse është vendimi i tyre që i gjithë Ballkani Perëndimor të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2030. Ky nuk është vendimi ynë. Pra, le të bëjnë punën e tyre dhe ta çojnë dialogun drejt finalizimit. Sepse dialogu është e vetmja gjë e mirë që mund të bëjmë për të zgjidhur problemin.

Është e mundur të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë me Presidentin Vuçiç?

Po, është e mundur dhe është e dëshirueshme. Sepse nëse dikush si Vuçiç bën marrëveshjen përfundimtare, kjo është arsyeja që duhet të nxitoni në dialog. Sepse nuk jam i sigurt nëse pas 2 apo 3 vitesh do të jetë në pushtet. Pra, nëse e keni atë tani, bëjeni punën tani. Përse? Sepse nëse një nacionalist si Vuçiç pranon marrëveshjen përfundimtare në Serbi, Serbia nuk do të destabilizohet, asgjë nuk do të ndodhë. E patë se çfarë ndodhi deri në sulmin e Banjskës. Targat, letërnjoftimet, mbyllja e institucioneve paralele… Por, çfarë ndodhi në Serbi? Asgjë. Heshtje, asnjë protestë e vetme. Prandaj, nxitoni! Ky është mesazhi im në Prishtinë. Bashkëpunoni me partnerët tuaj në BE dhe SHBA. Përfundoni Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ky është detyrimi juaj që nga viti 2013. Ju e keni firmosur këtë dhe tani është detyrim. Çdo ditë dikush nga Amerika apo Brukseli jua thotë këtë, e po ashtu vendimmarrës të rëndësishëm. Bëjeni sa më shpejt që të mundeni. Dhe ky do të jetë gurthemeli për përfundimin e dialogut. Pas kësaj do të kemi marrëveshjen përfundimtare me Kosovën. Normalizimin e raporteve mes dy vendeve që do t’i hapë rrugën integrimit në BE.

Kam dëgjuar se keni thënë që Vuçiç është në gjunjë. Pse e thatë këtë?

Për shkak të aksionit të tij të rremë në Banjskë. Ishte një ditë tragjike për katër jetë njerëzish. Tre serbë u vranë dhe një polic i Kosovës po ashtu. Dhe për këtë, është fajtor vetëm Vuçiç. Askush tjetër. Nëse Radoiçiç e ka bërë këtë i vetëm, pa dijeninë, ndihmën apo mbështetjen e tij, si ka mundësi që nuk është burgosur? Pse nuk është burgosur apo dënuar ? Radoiçiç e ka pranuar para kamerave dhe prokurorisë serbe se e ka bërë këtë. Atëherë, pse nuk po ndiqet penalisht? Pse të mos ndodhë kjo? Nëse Prishtina ka kërkuar ekstradimin e tij për ta gjykuar, pse është ende në liri? Ai është ende i lirë sepse Vuçiç ka frikë nga ajo që mund të thotë Radoiçiç në gjykatë. Tani, Serbia po shihet si një vend që sponsorizon terrorizmin, apo që manipulon zgjedhjet. Për këtë Vuçiç është nën presionin e Perëndimit dhe SHBA dhe BE po e përdorin këtë për ta detyruar atë t’i bindet politikës së tyre për situatë të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. Dhe këtë mund ta bëjnë sepse Vuçiç është në gjunjë.

Pra, ju pranoni se Vuçiç qëndron pas sulmit të Banjskës, se ai është përgjegjësi?

Nuk më takon mua ta them. Por, në opinionin tim ai është organizator i gjithçkaje. Sigurisht, ai nuk ka për qëllim të vrasë policët. Plani i tij është shkëputja e katër komunave në veriun e Kosovës. Dhe nuk po arrin dot ta bëjë këtë. Ai dështoi në operacionin e tij dhe prandaj është në gjunjë. Tani, Perëndimi e ka kapur prej qafe dhe nuk mund të bëjë asgjë. Po përdoret nga vendet perëndimore për shkak të kësaj situate.

Por, në Beograd muajin e kaluar ishin kancelari Scholz dhe Presidenti Macron…

Po, sigurisht! Sepse Vuçiç është në gjunjë. E dini, gjatë qëndrimit të tij në Serbi, Macron e tha dy herë se në BE ka vend për Serbinë demokratike. Dhe të gjithë në Serbi e vunë theksin tek mbështetja e Macron për Serbinë. Por, nëse e lexoni mirë, ajo që Macron i tha Vuçiçit ishte se “Serbia pa ty dhe me një sistem demokratik do të jetë pjesë e BE”. Ai e tha këtë në qendër të Beogradit, por mediat dhe propaganda e rrotullojnë gjithmonë situatën. Dhe Vuçiç e ktheu në favor të tij. Por, nuk mund ta bëjë këtë pafundësisht. Njerëzit në Serbi nuk i besojnë qeverisë së tij sepse kudo ka korrupsion. Vuçiç nuk mund të bëjë më asgjë, pasi fuqia e tij po bie… Por, e keqja është se ai nuk ka alternativë. Opozita është edhe më keq se ai. Pra, ky është problemi në Serbi. Ne duhet të krijojmë shumë shpejt alternativë ndaj regjimit të Vuçiç, siç ndodhi edhe në Hungari.

SHKARKO APP