Detaje të reja/ Masakra me 10 të vdekur në Malin e Zi, autori u vra nga një kalimtar
Policia e Malit të Zi ka dhënë detaje për masakrën që tronditi ditën e premte vendin fqinj, ku një burrë vrau 10 persona, përfshirë dy fëmijë, përpara se të vritej nga një kalimtar.
Drejtori i Policisë malazeze, Zoran Brdjanin tha se agresori përdori një çifte gjahu për të vrarë fillimisht dy fëmijë të moshës 8 dhe 11 vjeç, së bashku me nënën e tyre, të cilët jetonin me qira në shtëpinë e tij, në lagjen Medovina të Cetinjës.
Më pas, sipas Brdjanin, ai doli në rrugë dhe qëlloi 13 persona të tjerë, duke vrarë 7 prej tyre. Autori u identifikua nga autoritetet si 34-vjeçari me inicialet V.B. “Për momentin, nuk dihet pse V.B. kreu këtë krim makabër”, tha Brdjanin.
Qeveria e Malit të Zi ka shpallur tri ditë zie për tragjedinë e ndodhur. Në përputhje me Vendimin e Qeverisë, ditët e zisë janë të shtunën, të dielën dhe të hënën, përkatësisht datat 13, 14 dhe 15 gusht 2022.