Detaje të reja nga vrasja e Oliver Ivanoviç
Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga vrasja e Oliver Ivanoviç, kreu i Iniciativës Qytetare Serbe, por ende nuk dihet se kush e kreu ekzekutimin e tij.
Gazeta serbe ”Novosti”, shkruan sot se janë zbuluar disa detaje rreth vrasjes së Ivanoviçit. Gazeta shkruan se Ivanoviç është qëlluar nga një pistoletë automatike dhe jo ashtu siç ishte thënë më herët që ishte qëlluar me një “nëntëshe”.
Sipas ”Novostit”, burimet kanë treguar se Ivanoviç ditën e vrasjes ishte përcjellë nga shtëpia e tij e deri tek zyrat e partisë, ku edhe ndodhi vrasja.
Më pas, nga vetura e tipit “Opel Astra”, nga sedilja e pasme janë shkrepur plumbat të cilët kanë goditur në gjoks politikanin serb.
Sipas autopsisë, Ivanoviç është qëlluar me gjashtë plumba të cilët kanë prekur organet vitale. Ekzekutuesit, pas vrasjes së Ivanoviç, janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe makina me të cilën u arratisën më pas është gjetur e djegur.