Dhuna çnjerëzore ndaj të moshuarës në azilin e Pejës. Koleget e filmuan dhe qeshnin (VIDEO)
Dhuna çnjerëzore dhe mizore, ndaj të moshuarës në qendrën e të moshuarve “Orenda” në Pejë, ka nxitur një reagim të madh të qytetarëve në rrjete sociale.
Infermierja Aurona Pelaj dhe disa punonjëse të kësaj shtëpie, kanë sulmuar fizikisht një grua të moshuar, ndërsa njëra prej tyre e ka qëlluar me shpulla dhe shqelma, teksa koleget e tyre “shkrihen së qeshuri” nga kjo mizori e as nuk e marrin mundimin që ta ndalojnë, por e filmojnë.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë që të çohen para drejtësisë të gjithë të implikuarit. “Me shqetësim kemi parë të gjithë pamjet e keqtrajtimit të një gruaje të moshuar nga një grup vajzash, në një shtëpi të përkujdesjes së të moshuarve në Pejë. Nga Policia e Kosovës jam njoftuar që deri më tani janë arrestuar dy nga dhunueset dhe hetimet po vazhdojnë. Fuqishëm bëj thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt çnjerëzor”, ka shkruar Sveçla.
Aurona Pelaj nga fshati Novosellë e Pejës, ka disa muaj që punon në qendrën e të moshuarve ”Orenda”. Ajo është arrestuar nga Policia e Kosovës.