Dhuna ndaj të moshuarës në azilin e Pejës! Akti çnjerëzor u filmua dhe u shpërnda në rrjetet sociale

Nëna e dëshmorit të UÇK-së, Taulant Nuraj, lë qendrën e azilit, aty nga ku u dhunua në mënyrë brutale nga disa punonjëse. E moshuara është nxjerrë nga qendra “Orenda” në Pejë nga vajza dhe dhëndri i saj. Dhuna ndaj të moshuarës u bë virale në rrjet ku ishim me mijëra mesazhet që dënonin aktin e rëndë dhe sjelljen e punonjëses.

Në videon e publikuar në rrjetet sociale, njëra nga punonjëset shihet tek e godet të moshuarën në mënyrë të vazhdueshme, teksa kjo e fundit mundohet të rezistojë. Punonjësja Aurona Pelaj, vazhdon me dhunën madje duke u mburrur me faktin që di të bëjë edhe më shumë para dy punonjësve të tjera.

Për ngjarjen që dyshohet se ka ndodhur të shtunën, Policia e Kosovës ka arrestuar Aurona Pelajn dhe shefen e punonjësve në Shtëpinë e Pleqve “Orenda”, për veprën penale ‘Sulmi’ dhe veprën penale ‘ndihma në kryerjen e veprës penale Sulmi. Të dy punonjëset janë në mbajtje për 48 orë.

Rasti është raportuar nga palë të treta, meqë asnjë prej personave të përfshirë në ngjarje nuk e kanë njoftuar udhëheqësinë e institucionit e as Policinë e Kosovës. Azili për të moshuarit ka njoftuar se ka pezulluar nga puna Aurona Pelajn bashkë me tre punonjëse të tjera që kanë qenë në ndërrim dhe nuk e kanë raportuar rastin.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, të cilët e kanë dënuar rastin dhe shtojnë se video e publikuar tregon se personat në fjalë kanë kryer veprën penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe se ka elemente të “torturës”. Rezidenca për të Moshuarit “Orenda” në Pejë është institucion privat që si shërbime ofron akomodimin dhe përkujdesjen ndaj të moshuarve.

SHKARKO APP