Dhunë brutale ndaj 17-vjeçares shqiptare dhe të moshuarës greke
Momente të tmerrshme ka përjetuar një 17-vjeçare shqiptare dhe e moshuara për të cilën ajo kujdesej. Ngjarja ka ndodhur këtë të Hënë, në qytetin Arta të Greqisë dhe ku sipas raportimeve të mediave greke, është zbuluar se dy persona të dhunshëm me maska në kokë dhe doreza në duar, kanë hyrë në banesën e 90-vjeçares.
Ata kanë shkaktuar gjendje terrori tek e moshuara por dhe tek vajza. Në bazë të zbardhjes së ngjarjes, të dyja janë lidhur këmbë e duar me litarë dhe janë rrahur për të treguar se ku gjendeshin paratë.
Dy autorët nuk kanë reshtur së godituri të miturën dhe të moshuarën, deri në momentin që arritën të gjenin 70 euro, dy telefona celularë dhe një varëse floriri. Pas largimit të agresorëve nga shtëpia, dy viktimat e sulmit kanë pritur deri në mëngjes për të zgjidhur më në fund litarët. E para që arriti të lirohej ishte adoleshentja shqiptare, e cila më pas ndihmoi dhe të moshuarën për të cilën kujdesej.
Të lënduarat janë transportuar në spital, ndërkohë që nuk janë zbuluar endet autorët që terrorizuan adoleshenten dhe të moshuarën.