Dhunimi i gazetarëve, Kurti: U sulmuan nga grupe ekstremistësh të kontrolluara nga Beogradi

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve kosovarë në veri nga serbët lokalë aty. Kurti shkruan se gazetarët u sulmuan nga banda kriminale dhe grupe ekstremistësh që kontrollohen nga Serbia.

“Grupe ekstremistësh të kontrolluara nga Beogradi nuk e durojnë dot as policinë e as gazetarët. Policia e Kosovës i shërben drejtësisë dhe ligjit, gazetaria e Kosovës i shërben demokracisë dhe transparencës. Sot në Komunën e Leposaviqit nga bandat kriminale janë sulmuar gazetarët që ishin të pranishëm gjatë përpjekjeve të disa individëve për të shkaktuar trazira e dhunë.

Kameramani Bardh Bekteshi dhe gazetarja Dorentina Thaqi, kanë pësuar lëndime në kokë dhe trup. Kameramanët tjerë, Albin Rrahmani dhe Ardijan Shala kanë pësuar lëndime në trup. Në këmbë janë lënduar gazetaret, Laura Kerolli e Qendresa Sinani, kurse në krah ka marrë lëndime gazetari Pleurat Salihu. Urojmë shërim të shpejtë për kameramanët dhe gazetarët”.

Kryeministri Kurti kërkon nga ndërkombëtarët që të dënojnë këto sjellje dhe të mbajnë qëndrim ndaj Serbisë. “Ftojmë institucionet dhe diplomatët ndërkombëtarë të mbajnë qëndrim, dhe të mbështesin institucionet e Kosovës që të sjellin para drejtësisë të gjithë sulmuesit e Policisë së Kosovës, KFOR-it e sidomos gazetarëve”, shkruan Kurti.

SHKARKO APP