Dialogu zhvendoset në Paris, ndërmjetësuesi Macron. Kurti-Osmani: Njohje reciproke me Serbinë

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka marrë rolin e ndërmjetësuesit për të zgjidhur krizën mes Kosovës dhe Serbisë. Kreu i Pallatit Elize takoi veçmas palët, fillimisht presidentin Aleksandër Vuçiç dhe më pas kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.

Liderët e Kosovës dolën me një deklaratë të përbashkët pas bisedës duke njoftuar se para Macron konfirmuan përkushtimin e tyre për paqe dhe stabilitet si dhe kërkuan përmbylljen e dialogut me Serbinë me njohje reciproke.

Kurti dhe Osmani kanë folur për zhvillimet e fundit në Veri dhe kanë përmendur tendencat destabilizuese të Beogradit, përmes fuqizimit të strukturave ilegale dhe frikësimit të qytetarëve serbë.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç tha se nuk beson se do të takohet me Kurtin gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, edhe pse vetë shprehu gatishmërinë për një përballje të tillë. Presidenti serb konfirmoi se me Macron bisedoi për tensionet e fundit dhe pretendoi se I dorëzoi atij provat për akuzat e lëshuara së fundmi ndaj Kosovës. Gjithashtu nënvizoi se kushtet për kthimin e serbëve në institucione janë të qarta, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për formimin e asociacionit dhe tërheqjen e vendimit për targat.

 

SHKARKO APP