Diaspora shqiptare në Ukrainë, firmoset memorandumi i bashkëpunimit
Konsulli i nderit të Shqipërisë në Ukrainë, Shahin Omanov firmosi memorandumin e bashkëpunimit me Institucionin edukativo-arsimor “Azimuth” në Priazov. Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, e cila do të mbështesë këtë bashkëpunim.
Agjencia Kombëtare e Diasporës, tha se ky memorandum synon bashkëpunimin ndërinstitucional me qëllim përhapjen e informacioneve dhe edukimin e brezave të rinj për gjuhën, historinë dhe traditat shqiptare, pasi në këtë zonë pjesa më e madhe e banorëve janë me origjinë shqiptare.
Pika të rëndësishme të tij janë organizimi i aktiviteteve dhe eventeve të ndryshme për kulturën shqiptare në mes të përfaqësuesve të Diasporës shqiptare në Ukrainë dhe përfaqësuesve të lartë të shtetit shqiptar. Hapja e klasave për mësimin plotësues të gjuhës dhe kulturës shqipe për fëmijët e komunitetit shqiptar në këtë rajon. ”Gjithashtu memorandumi parashikon edhe shkëmbimin arsimor të stafit pedagogjik me qëllim që mësuesit nga Ukraina të kryejnë studime të specializuara për gjuhën, literaturën dhe historinë shqiptare në Universitetin e Tiranës”.